“Plumbi i artë”/ GJKKO vendos: Dumani dëshmon me dyer të mbyllura! Protestojnë të pandehurit, largohen nga salla

0
2

SPAK iu drejtua me një kërkesë GJKKO-së që seanca në lidhje me dosjen “Plumbi i artë”, ku pritet të dëshmonte i penduari i drejtësisë Nuredin Dumani, të zhvillohej me dyer të mbyllura, e cila u miratua.

Kjo kërkesë e prokurorisë ka shkaktuar pakënaqësi tek të pandehurit, të cilët e kanë kundërshtuar me pretekstin se nuk kanë asgjë për të fshehur dhe se gazetarët duhet të qëndrojnë në seancë.

“Dua që fjala ime të jetë transparente. Seanca të jetë me dyer të hapura, media të jetë prezente në sallë”, ka deklaruar i pandehuri Petrit Çoli.

Avokatët e të pandehurve argumentojnë se media është arbitri i dytë në këtë sallë gjykimi, pasi nuk ka shkaqe të ligjshme për të mbyllur dyert e gjykatës, kur Dumani ka dhënë më shume se gjysmën e dëshmisë.

Pas miratimit të kërkesës nga gjykata e posaçme, të pandehurit kanë braktisur sallën.

“Në seancën e sotme ishte parashikuar dëshmia e Nuredin Dumanit, i cili është duke treguar me detaje krimet që ka kryer dhe personat me të cilët ka bashkëpunuar. Në seancën e sotme, ka qenë Prokuroria e posaçme që i ka kërkuar gjykatës që të vijojë procesi gjyqësor pa praninë e mediave për shkak të ruajtjes së sekretit hetimor. Të pandehurit kanë kundërshtuar kërkesën e SPAK, dhe i pandehuri Petrit Çoli ka kërkuar që të qëndronin edhe gazetarët. Sipas të pandehurve, ata po mbahen padrejtësisht në paraburgim prej më shumë se dy vitesh pas dëshmisë së Dumanit, që pretendojnë se nuk po tregon të vërtetën. Kur gjykata është shprehur se seanca do të vijojë me dyer të mbyllura, të pandehurit kanë braktisur sallën dhe më pas edhe avokatët mbrojtës janë larguar në shenjë proteste. Seanca e radhës do të mbahet pas dy ditësh”, raportoi gazetari Ermal Vija./abcnews.al