“Po dalim jek e jek”/ Prodhimi i lartë ulliri por nuk shitet, fermerët “në hall”: E çojmë në shtëpi, stok që nga vjet

0
92

Fermerët e Roskovecit janë përballur këtë vit me një prodhim të lartë të vajit të ullirit, por nuk kanë treg për ta shitur. Fermerët ankohen në treg se dominon importi i vajit teksa theksojnë se çmimi i shitjes është tepër i ulët, 400 lekë për litër.

Këtë vit punohet dhe vajin e marrin në shtëpi sepse nuk ka kompani private të interesuara për ta blerë thonë fermerët teksa apelojnë që shteti të funksionojë si rregullator.

Administratori i njërës prej fabrikave të zonës Hamza Toro shprehet se ulliri ka cilësi të lartë dhe prodhimi është i mbarë por ka mbetur stok pasi shteti nuk ka gati asnjë skemë mbështetëse për eksportuesit që t’i nxisë për gjetjen e tregjeve të reja.

“Janë përveshur fermerët për ullirin dhe pse ishte thatësirë e madhe, me atë mundësi që kanë. Mundohen të punojnë dhe ne si fabrikë punojmë ditë për ditë. Ka goxha prodhim, e them me bindje më shumë se vitet e kaluara, cilësor, shumë të mirë, pa pesticide. Unë në këtë fabrikë kam fermerë që sjellin 1500 kuintal ullinj, pastaj vjen merr vajin në shtëpi, Këtu nuk e blejnë. S’ka ende kërkesë, thuhet se çmimi është 400 lekë. Si specialist unë kam një thirrje, o popull shqiptar konsumoni vaj ulliri, mos e merrni jashtë. S’ka tregje të formalizuara, shteti s’përkrah”-u shpreh administratori i fabrikës.

Fermerët thonë se nga viti në vit situata sa vjen e bëhet më problematike

“Po e vuajmë shumë se fëmijët na kanë ikur në emigrim, punojmë nga e keqja, shkojmë zvarrë për këta ullinj. Prodhimi është por as nuk po e shesim dot. As t’i vjelim s’kemi fuqi. Ku ta çoj këtë prodhim? Stok kam 3 kuintal në shtëpi nga viti i kaluar. Unë dal jek e jek kështu, çmimi duhet të jetë 550 lekë se ndryshe dal zero. Në Greqi shitet vaji i fundit 5 euro”-tha një nga fermerët.