“Po falimentojmë”, kalben pjeshkët në Berat, fermerët: Kostot janë rritur, shteti nuk na ndihmon

0
112

Janë me dhjetra hektarë pjeshkë prodhimi i të cilave rrezikon të kalbet në pemë.

Në fshatin Lapardha 2 të Beratit fermerët thonë se dorën e parë të frutave u detyruan ta flakin për shkak të mungesës së tregut.

“Nektarinën nuk e shita dot në treg, u kalb. Për 20 lekë, 15 lekë,” thotë fermeri.

Kur munden të gjejnë treg një kilogram e shesin për 20 lekë.

“Unë jam i fundosur kokë e këmbë,” thotë ai.

“Ne jemi drejt falimentimit,” thotë një fermere.

Ky çmim nuk mbulon kostot që këtë vit janë rritur për shkak të shtrenjtimit të naftës dhe plehrave kimike.

“60 mijë lekë të vjetra një spërkatje. Karburanti është 250 lekë,” thonë ata

Shpresojnë që prodhimin t`ua marrin fabrikat që i përdorin pjeshkët për komposto apo reçel.

“Kjo del për dy javë. Kjo është e kompostos,” thotë fermeri.

“Po dhe fabrika sa do ta marri? 30 lekë, më shumë nuk e merr,” thotë ajo

Nga shteti jo të gjithë kanë përfituar ndihmë. Disa kanë marrë subvencione e të tjerët bëjnë thirrje për më shumë mbështetje.

“Shteti duhet të na ndihmojë, të na përkrahë. Po s’patëm ndihmën e shtetit ne nuk ja dalim dot,” thotë ajo.

“Një subvencion apo dicka tjetër. Ai nuk na jep asnjë gjë,” thotë fermeri.

Në rast se do të vijojnë të punojnë në të tilla kushte pa treg e ndihmë nga shteti thonë se do të detyrohen të largohen.

“Po u shit, mirë. Po s’u shit do ikim në emigracion, nuk ia dalim dot këtu,” thotë ajo.

Në shumë zonat bujqësore të vendit edhe këtë vit fermerët janë detyruar ta lënë në ara prodhimin për shkak të mungesës së tregut.

ora news