Kryeministri Edi Rama i është përgjigjur akuzave lidhur me aferën e inceneratorëve, nga qyteti i Elbasanit. Rama e quajti impiantin e përpunimit të mbetjeve në Elbasan, si një prej punëve më të mira që janë bërë për qytetin.
Ai tha se impianti është një realitet, që ka mundësuar heqjen e “malit me plehra” që ishin shndërruar në helm për qytetin. Kreu i qeverisë u shpreh se impianti ka prodhuar në të shkuarën energji, dhe do të rinisë pasi të përfundojë remontin.
Lidhur me hetimet për korrupsion, Rama tha se janë vetëm një segment i gjithë punës së madhe të bërë, nga ata të cilët “duan të bëjnë një rrugë e dy punë”.
Pjesë nga fjala e Ramës:
Po shkon Edi Rama në vendin e krimit thoshin. Pse në vendin e krimit? Për inceneratorin? Pse se e hoqëm malin me plehra, që nuk ishte as pluhur por ishte helm. Dhe i dhamë Elbasanit mundësinë që plehrat t’i përpunojë në një impiant ultra-modern. Mendoj që është një nga punët më të mira që janë bërë për Elbasanin. Ashtu sikundër impianti ka prodhuar energji, është në remont, dhe do të fillojë të prodhojë energji. Është eksperienca e parë e krijimit të një kompanie të përbashkët, për t’i mbledhur të gjithë plehrat e qarkut. U thuhet njerëzve janë vjedhur 400 milionë, po mirë ky impianti, a është këtu apo nuk është? Që do të thotë se për atë janë shpenzuar para, që pjesa që ka të bëjë me korrupsion është një segment i gjithë kësaj pune të madhe. Kush ka shfrytëzuar rastin që të bëjë një rrugë e dy punë, të shkojë aty ku i takon, te ata që kanë marrë rrugën e djallit.