“I May Destroy You” ose (Unë mund të të shkatërroj ty) është seriali më i ri i vitit nga BBC One dhe HBO, që i ka mbërthyer të gjithë pas ekranit, për faktin edhe të temave që trajton dhe që janë kaq aktuale pas çështjes së afro amerikanëve dhe vdekjes së shumë të pafajshmëve me ngjyrë në Amerikë.
Por tema që trajton është shumë aktuale edhe në vendin tonë, pas protestave kundër abuzimit seksual të vajzave.
“I May Destroy You” flet për historinë sa të dhimbshme aq edhe misterioze të Arabella-s, një afroamerikane që luhet nga veta autorja Michaela Coel.
Ajo është një shkrimtare në fillimet e saj, libri i parë i së cilës ka korrur sukses. Ne njihemi me personazhin fillimisht në Itali, ku agjentët e saj e kanë dërguar atë për të punuar mbi romanin e saj të dytë, por jo vetëm për punë.
Ajo e shfrytëzon kohën për të kaluar disa momente me të dashurin e saj. Pas kthimit në Londër, asaj i vendosin një afat për të dorëzuar një pjesë të projektit, por para se ta bëjë këtë, gjërat marrin një kthesë të errët kur ajo vendos të bëjë një pushim për të takuar miqtë për një gotë.
Më pas ajo që shohim ne është zgjimi. Arabella zgjohet të nesërmen në mëngjes me një të çarë në kokë, një telefon të prishur e thyer dhe pa kurrfarë kujtese sesi dreqin ishte kthyer në tryezën e saj të punës.
Ajo nis të mbledhë të gjitha informacionet që për syrin tonë janë vërtet shqetësuese dhe e kupton që pija e saj nuk ishte thjesht alkool dhe se dikush kishte abuzuar me të seksualisht atë mbrëmje.
Ato që zbulon më pas Arabella, rrjedhat dhe trauma post përdhunimit nuk është e lehtë të shihet. Seriali është krijuar dhe prodhuar para vrasjes së George Floyd dhe çështja kërkon maturi dhe respekt ndaj afro amerikanëve, por ngjarja nuk mund të shihet jashtë këtij konteksti.
Autorja Coel nxjerr një të vërtetë të pakëndshme kur trajton jetën e një femre me ngjyrë në Londër, traumat që ajo kalon dhe padrejtësitë që vijnë si rrjedhojë e ngjyrës së saj të lëkurës; një shkrimtare që përpiqet të ndërtojë një karrierë në një fushë të mbizotëruar kryesisht me “njerëz të bardhë”.
Një nga elementët më interesantë dhe unikë të shfaqjes është struktura e saj narrative. Çdo episod zhvillohet pa marrë shumë parasysh vazhdimësinë e ngjarjes në kuptimin linear dhe tradicional. Ky format rrit misterin dhe i fton shikuesit në perspektivën e hutuar të Arabella-s në lidhje me afatin kohor të gjithë asaj që ajo ka kaluar.
Në secilin episod, ne shohim të papritura të ngjarjes që i ka ndodhur Arabellës, me përdhunuesin identiteti i të cilit është i padallueshëm. Dhe përgjatë tërë sezonit, secili nga episodet zhvillohet mes të së kaluarës dhe së tashmes dhe mes këndvështrimeve të njerëzve në jetën e Arabella, duke gërshetuar ngadalë pjesët e një enigmës komplekse.
Një pjesë vërtet e bukur e këtij seriali është lidhja e fortë që ekziston mes Arabella dhe miqve të saj më të ngushtë. Marrëdhëniet e saj posaçërisht me miqtë më të mirë Terry dhe Këame, të cilëve i thërret me dashuri si “bae”, janë veçanërisht të rëndësishme për Arabella-n dhe për të vijuar jetën pas sulmit seksual.
Lidhjet emocionale theksojnë rëndësinë e miqësive dhe marrëdhënieve, veçanërisht për ata që kanë kaluar përvoja traumatike, siç është përdhunimi.
/Iconstyle.al