Deklarata e plotë e nënkryetares së LSI, Kejdi Mehmetaj:
“Qytetarët e Tiranës prej kohësh po përballen me arrogancën e Policisë Bashkiake.
Pas problemeve pa fund që bashkia u ka krijuar qytetarëve me trafikun duke i detyruar ata që të humbasin orë të tëra në trafikun e Tiranës, ku shpenzojnë para për karburantin dhe kohë, tani dërrmohen dhe me gjoba pa fund.
Shifrat flasin vetë: Policia bashkiake e Tiranës vetëm me shkakun e parkimit të gabuar ka vendosur rreth 330 mijë gjoba ndërsa Policia Rrugore e cila siguron mbarëvatjen e trafikut dhe qarkullimit rrugor ka vendosur rreth 60 mijë.
Pra, Policët e Erion Velisë që kanë një përgjegjësi të kufizuar lidhur me problemet e transportit rrugor dhe rregullimit të trafikut me ‘zellin e tyre’ të shfrenuar i kane goditur qytetarët shumë herë më tepër sesa Policia Rrugore, që është dhe autoriteti më i lartë i përgjegjësisë për qarkullimin rrugor në Tiranë dhe të gjithë vendin.
Ndonëse qytetarët po përballen me pasojat ekonomike të jashtëzakonshme që la më parë pandemia dhe tani rritje e frikshme e çmimeve e veçanërisht çmimit të karburanteve i duhet që të përballet sot edhe me gjobat e bashkisë, për gjoja parkim të gabuar.
Bashkia e Tiranës e cila nuk i ka dhënë qytetit të Tiranës një transport publik të shpejtë, kapilar dhe çmime të arsyeshme i ka detyruar qytetarët që në mënyrë të natyrshme të përdorin mjetet e tyre private për të përmbushur detyrimet e punës dhe ato familjare.
Ndaj, kjo sjellje e Bashkisë së Tiranës prej xhandari kundër qytetarëve është tërësisht e papranueshme dhe i kërkojmë publikisht të heqë dorë nga një sjellje e tillë. Gjithashtu i kërkojmë të përgjysmojë në mënyrë të menjëhershme tarifat e parkimit që aplikohen gjatë ditës për të mos vazhduar më tej, që të mos e kthejë Policinë Bashkiake që paguhet nga taksat e qytetarëve nga një trup policore në ndihmë të tyre në një trupë të urryer prej tyre”