Shumë punonjës policie pritet të largohen nga strukturat blu drejt disa institucioneve të tjera shtetërore me apo pa miratimin e tyre. Një pjesë e efektivëve që kanë vite që shërbejnë do të dërgohen në shkollat e vendit për të ruajtur rendin dhe sigurinë. Kjo nismë sipas Ministrisë së Brendshme do të ndërmerret për shkak të incidenteve që kanë ndodhur në shkollat e vendit.
Punonjësit e Policisë së Shtetit, të cilët kanë vjetërsi pune dhe janë drejt pensionit, do të kryejnë shërbimin në ambientet e shkollave, për të ruajtur rendin dhe sigurinë.
Incidentet e fundit në disa prej shkollave në vend e kanë detyruar Ministrinë e Brendshme të marrë këtë vendim për të shmangur problematikat me të cilat përballen institucionet arsimore.
Lleshaj: Kemi pasur disa incidente, probleme sigurie dhe ne mendojmë që një pjesë e punonjësve të policisë që kanë qenë në struktura të ruajtjes së objekteve, të cilët janë në një moshë të thyer, mund të kalojnë të kryejnë detyra edhe në këto struktura, jo si punonjës policie por si punonjës të sigurisë së këtyre objekteve.
Sipas ministrit të Brendshëm, Sandër Lleshaj, punonjësit e policisë do transferohen drejt institucioneve të tjera pa miratimin e tyre në rast se do vendoset nga Këshilli i Ministrave.
Lleshaj: Nuk e kemi vendosur nëse kjo do të jetë eksplicite e shkruar me vullnetin e personit apo jo, e kemi lënë këtë hapësirë për ta diskutuar në nivelin e qeverisë.
Lleshaj iu rikthye sërish propozimit për ndryshimet që kanë të bëjnë me përgjimet, duke insistuar se nuk janë keqpërdorur nga policia.
Sipas Ministrit, mbikëqyrjen e personave të dyshuar si problematik do ta kryejnë vetëm komisarët.
Lleshaj: Është hequr koncepti i përgjimit ambiental dhe është vendosur koncepti i mbikqyrjes së veçantë.
Ndryshimet e reja në ligjin për Policinë e Shtetit u miratuan me 13 vota pro në Komisionin e Ligjeve në Kuvend dhe një kundër.
Ora news