Policia e Tiranës bën bilancin e protestës së të dielës, 13 dhjetor 2020. Sipas një njoftimi për median mësohet se janë arrestuar në flagrancë 4 persona si dhe do procedohen në gjendje të lirë 46 shtetas të tjerë. Ndërkohë ka mbetur i plagosur një efektiv policie.
Në njoftimin e kësaj të hëne policia thekson se si pasojë e goditjes me gurë, lëndëve piroteknike dhe sendeve të forta në drejtim të punonjësve të policisë në shërbim, është dëmtuar një punonjës policie.
Sakaq policia bën me dije se ndërkohë, vijon puna për identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të përfshirë në veprime të dhunshme ndaj Policisë, pronës shtetërore dhe asaj private.
Gjithashtu, Policia e Tiranës apelon për respektim në maksimum të masave kufizuese, me qëllim parandalimin e përhapjes së COVID-19, si dhe u bën thirrje qytetarëve që problematiken dhe shqetësimin që kanë ta adresojnë pranë institucioneve dhe organeve kompetente, pa krijuar grumbullime, pasi grumbullimet dhe tubimet janë në shkelje të Aktit Normativ për parandalimin e pandemisë COVID -19.
Ora news