Policia e Elbasanit arreston një 35-vjeçar. Ja për çfarë akuzohet!

0
317

Elbasan Goditet një tjetër rast në fushën e dhënies ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit, shtetasve të huaj nga vende të treta, kundrejt fitimit.

Finalizohet nga Seksioni për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme në DVP Elbasan, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Cërrik, operacioni policor “Mesnata”.

Gjatë operacionit është vënë në pranga nga Policia një 35-vjeçar, i cili nuk iu bind urdhrit të punonjësit të Policisë për të ndaluar dhe në tentativë për t’u larguar ka humbur kontrollin e drejtimit të mjetit, duke rrezikuar jetën e 10 personave që transportonte.

Specialistët për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme në DVP Elbasan, në bashkëpunim me shërbimet e Komisariatit të Policisë Cërrik, në vijim të goditjeve të njëpasnjëshme të veprimtarisë kriminale në fushën e dhënies ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit shtetasve nga vendet e treta, të cilët hyjnë në vendin tonë ilegalisht nëpërmjet kufirit me shtetin grek, bazuar dhe në informacionet e marra në rrugë operative, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Mesnata”. Në aksin rrugor Cërrik-Belsh, shërbimet e Policisë kapën në flagrancë shtetasin M. B., 35 vjeç, banues në Durrës, duke transportuar drejt Tiranës, kundrejt fitimit 450 euro për person, 10 shtetas sirianë, të cilët i kishte marrë në qytetin e Korçës.

Në momentin e ndërhyrjes së Policisë ky shtetas nuk i është bindur urdhrit të punonjësit të Policisë për të ndaluar dhe në tentativë e sipër për t’u larguar ka humbur kontrollin mbi mjetin duke rrezikuar jetën e shtetasve që transportonte.

Në përfundim të veprimeve u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit M. B., për veprat penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufirit”, “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor” dhe “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë së rendit publik” dhe materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës Parë Elbasan, për veprimet e mëtejshme./elbasaniflash.al