Drejtoria Vendore e Policisë Elbasan
Specialistët për Hetimin e Narkotikëve ekzekutuan masën e sigurisë “Arrest në burg”, për shtetasin R. H., 26 vjeç, banues në Gramsh, caktuar nga Gjykata e Elbasanit, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.
Specialistët e Qarkullimit Rrugor arrestuan në flagrancë shtetasit:
-R. Sh., 34 vjeç, dhe A. C., 55 vjeç, pasi u kapën duke drejtuar motomjete, pa leje drejtimi;
-L. L., 26 vjeç dhe Xh. M., 26 vjeç, pasi në aksin rrugor “Gramsh-Cërrik”, automjeti që shtetasi L. L. e drejtonte pa leje drejtimi, është përplasur me automjetin me drejtues shtetasin F. Ç., 58 vjeç. Shtetasi Xh. M., ka dhënë deklaratë të rreme për rrethanat e aksidentit. Nga aksidenti është dëmtuar shtetasi F. Ç., i cili është jashtë rrezikut për jetën.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Gramsh referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi penal për shtetasin L. B., 18 vjeç, pasi ka goditur me grushte shtetasin A. L., 27 vjeç, për motive të dobëta.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, për veprime të mëtejshme.
–
Reagim i Drejtorisë Vendore të Policisë Elbasan
Në lidhje me një lajm të publikuar në rrjete sociale, sipas të cilit pretendohet se Policia e Elbasanit është njoftuar për një ngjarje dhune dhe nuk ka ndërhyrë, si dhe nuk ka pranuar kallëzim penal nga qytetarët, sqarojmë se lajmi është i pavërtetë.
Më datë 16.12.2025, rreth orës 08:20, salla operative është njofuar për një mosmarrëveshje pronësie, në lagjen “28 Nëntori”. Menjëherë pas njoftimit, shërbimet e Policisë kanë shkuar në adresën e dhënë dhe kanë shoqëruar në Komisariat, shtetasit H. L. dhe E. V.
Nga verifikimet rezultoi se pala ankuese, shtetasi H. L., nuk disponon asnjë dokument ligjor pronësie mbi pasurinë për të cilën pretendon, ndërsa pala tjetër, shtetasi E. V., është i pajisur me certifikatë pronësie dhe leje ndërtimi për pasurinë përkatëse.
Në përfundim të veprimeve procedurale, palët janë informuar se për pretendimet e tyre duhet t’i drejtohen Gjykatës, pasi çështja është e natyrës civile dhe nuk përbën vepër penale.
Gjithashtu, informojmë se shtetasit që shfaqen në videon e publikuar janë punonjës të shoqërisë ndërtuese, e autorizuar për kryerjen e punimeve.
Policia e Elbasanit mbetet e angazhuar maksimalisht në garantimin e rendit dhe sigurisë, mbrojtjen e jetës dhe pronës së qytetarëve.


