Katër persona kanë rënë në prangat e policisë së Tiranës pasi e kishin kthyer banesën e marrë me qira në një laborator për kultivimin e kanabisit. Operacioni policor i koduar “Kimisti” çoi në arrestimin e shtetasve Ervin Shametaj, Gerhard Duro, Skënder Ismaili si dhe të një 17-vjeçari.
Kur e gjithë policia e shtetit është e angazhuar në sekuestrimin e çdo rrënjë kanabis-sativa në territorin malor të Shqipërisë, një laborator për rritjen e saj është zbuluar në Tiranë.
Katër persona janë arrestuar aga policia e shtetit pasi akuzohen se në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë marrë një ambjent me qira në zonën e Kodrës së Diellit, duke e kthyer në një laborator të rritjes së kanabisit.
I pari që u arrestua nga grupi i 4 personave ishte Ervin Shametaj i moshës 30 vjeç. Ai po lëvizte me automjetin e tij kur efektivët e policisë e ndaluan rastësisht, duke ushtruar një kontroll të gjithë mjetit.
Në bagazhin e makinës së tij policia gjeti disa kubikë, të cilët ishin mbjellë me finadanë kanabisi.
Pas kësaj policia ka kryer kontroll në banesën e tij, aty ku dhe u zbulua edhe laboratori i hashashit.
Së bashku më 30-vjeçarin në pranga përfunduan edhe Gerhard Duro, 37 vjeç, Skënder Ismaili, 44 vjeç dhe një i mitur 17-vjeçar me inicialet J. V, të cilët ishin bashkëpunëtorë.
Policia pritet që të shtrijë hetimet pasi ka dyshime për persona të tjerë të përfshirë. Po ashtu hetuesit do të verifikojnë edhe matësin elektrik të banesës nëse ka pasur ndërhyrje ashtu siç ka rezultuar edhe në rastet e tjera kur është zbuluar laborator për rritjen e kanbisit.