Policia kërkoi ndihmë për kapjen e tyre, ja për çfarë akuzohen pesë të shumëkërkuarit

0
513

Policia e Shtetit publikoi listën e pesë prej personave më të kërkuar në Shqipëri duke apeluar qytetarët për ndihmë me qëllim arrestimin e tyre. Pjesë e listës së policisë janë Talo Çela, i kërkuar për disa krime në Tiranë, Durrës e Elbasan, Ibrahim Lici i akuzuar për disa vrasje në Shkodër dhe Laert Haxhiu i akuzuar për krime të rënda në Lushnje.

Policia e Shtetit publikoi fotot e pesë personave që konsiderohen mes më të kërkuarve të viteve të fundit në Shqipëri.

Duke bërë një bilanc të aksioneve për kapjen e shtetasve në kërkim, Drejtoria e Përgjithshme e policisë kërkon bashkëpunimin e qytetarëve për të bërë të mundur lokalizimin dhe kapjen e disa prej personave më të kërkuar, për vepra të rënda penale kundër personit dhe pronës.Konkretisht në listë, renditet  Talo Çela, i kërkuar për super-grabitjen e miliona eurove në pistën e aeroportit të Rinasit në vitin 2019 dhe për një seri krimesh në Durrës dhe Elbasan.

Lista e policisë vijon me foton e shtetasit Laert Haxhiu, i akuzuar për një seri ngjarjesh të rënda në qytetin e Lushnjes përfshirë edhe atë që njihet si masakra pranë komisariatit.Në vitin 2020, Laert Haxhiu, është gjykuar në mungesë për kryerje të veprave penale “Krijimi i grupit të strukturuar kriminal”, “Kryerja e veprave penale në kuadër të grupit të strukturuar kriminal”, “Vrasje me paramendim kryer për hakmarrje” mbetur në tentativë në dëm të Xhulio Shkurtit, “Vrasje në rrethana të tjera cilësuese” në dëm të viktimave Zamir Latifi dhe Jurgen Hoxha, “Vrasje në rrethana të tjera cilësuese” ndaj dy ose më shumë personave, e mbetur në tentativë, në dëm të shtetasve Marius Xhepexhiu dhe Bujar Turku”.

Fotoja tjetër e publikuar nga policia i përket shtetasit Jani Alia, i  dënuar me burgim të përjetshëm për vrasjen e Elton Çiços në vitin 2018 në Tiranë.

Mes të kërkuarve të policisë është edhe Ibrahim Lici, i shpallur në kërkim për disa ngjarje të rënda në qytetin e Shkodrës, përfshirë edhe vrasjen e vëllezërve Ibrahim dhe Astrit Bilali më 30 Mars të vitit 2019 dhe disa atentate të tjera.

I kërkuari tjetër i policisë është Erjon Llapushi, i shpallur në kërkim për vrasjen e kamarierit të një restoranti në zonën e Elbasanit në tetor të vitit 2021. 33-vjeçari sipas policisë është person me precedentë të mëparshëm penalë.