Policia shpërndan protestat

0
339

Policia është detyruar të ndërhyjë për të shpërndarë tre protesta këtë të mërkurë. Tubimi i Shoqatës së Transporteve dhe ai i studentëve është konsideruar i paligjshëm, kjo për shkak të masave për parandalimin e përhapjes së koronavirusit. Edhe në Gjirokastër djemtë e labërisë janë detyruar të përballen me forcat e rendit.

Një ditë pas alarmit të kryeministrit Edi Rama policia ka nisur aksionin. Në të gjithë territorin forcat e rendit janë angazhuar në kontrolle, por dhe për ndalimin e tubimeve.

Policia është detyruar të ndërhyjë edhe në shpërndarjen e protestave. Në kryeqytet

Unioni i Shoqatave të Transportit me thirrjet “Duam punë, duam bukë” tubuan para Ministrisë së Infrastrukturës, ku policia i paralajmëroi se tubimi ishte i paligjshëm.

Edhe kur protesta u zhvendos para Ministrisë së Ekonomisë, ku kërkuan mbështetje financiare, policia u kërkoi të largohen, e më pas ndërhyri për ti shpërndarë.

Po në kryeqytet, një grup studentësh, u tubuan para Ministrisë së Arsimit ku dorëzuan një peticion për anulimin e tarifës vjetore pasi nuk kanë frekuentuar shkollën për shkak të virusit dhe tërmetit tragjik. Edhe këtu policia e konsideroi protestën të paligjshme.

Këto pamje i përkasin një tubimi në Gjirokastër ku Lëvizja patriotike “Djemtë e Labërisë” ka protestuar për largimin e konsullit Lambros Kakizis. Protesta erdhi si rrjedhojë e djegies së flamurit shqiptar nga një minoritar grek nga Finiqi.

Edhe këtu forcat e rendit deklaruan se veprimi ishte i paligjshëm, ndërsa nuk munguan dhe përplasjet fizike.

18 persona u shoqëruan në Gjirokastër, për tu lënë të lirë pas verifikimeve.

Këtë të mërkurë pas udhëzimeve të reja policia është dislokuar dhe një herë për të monitoruar respektimin e masave anti-covid.

Nga ana e drejtuesve të policisë, bëhet e ditur se kanë listat me personat e infektuar, të cilët do jenë nën monitorim të vazhdueshëm.

/Ora News.tv/