“Portë” hyrje për 10 fshatra, ura e Polisit në Librazhd pa barriera, në gjendje të amortizuar

0
157

Ura e Polisit në Librazhd që shërben si portë hyrëse për 10 fshatra vuan mungesën e investimeve. Thuajse në të gjithë gjatësinë barrierat mbrojtesë mungojnë, ndërsa banorët thonë se premtimet për ndërhyrje deri tani kanë rezultuar mashtrime për vota.

Ura e cila lidh fshatin Polis me aksin nacional Elbasan-Librazhd prej shumë vitesh është në gjendje të rrezikshme për shkak se nuk ka pasur investimet.

Banorët thonë se nuk kanë munguar edhe incidentet, ndaj ndërhyrja në infrastrukturë sipas tyre është e nevojshme.

Siç duket edhe nga pamjet barrierat mbrojtesë thuajse mungojnë në pjesën më të madhe.

Nësë nuk tregojnë kujdes, këmbësorët apo automjetet rrezikojnë të përfundojnë në lumin Shkumbin.

“Me vështirësi të madhe kalojmë. Shumë e rrezikshme por nuk vë dorë njeri.”

“Që kur është bërë, nuk është investuar më aty.”

Kjo urë është nyja e vetme lidhesë e 10 fshatrave me rrugën kryesore Librazhd-Elbasan ndërsa ndërhyrja e fundit mbahet mend rreth dy dekada më parë.

Banorët thonë se premtimet kryesisht elektorale për ndryshimin e kësaj gjendje kanë rezultuar gënjeshtra.

“Sa herë ka zgjedhje, premtime bëhen.”

Mungesa e investimeve dhe shërbimeve po bën që fshatrat e Librazhdit dhe Elbasanit të braktisen masivisht.