Portugalia ka fituar për herë të dytë trofeun e Ligës së Kombeve të UEFA, duke mposhtur Spanjën pas një finaleje emocionuese që përfundoi me penallti 5-3, pasi koha e rregullt dhe shtesa përfunduan në barazim 2-2.
Nën drejtimin e trajnerit spanjoll Roberto Martínez, Portugalia e nisi më mirë takimin. Një kombinim i zgjuar nga një goditje këndi në minutat e para çoi te një mundësi e artë për João Neves, i cili nuk arriti ta shënojë nga pozicion i favorshëm. Spanja reagoi shpejt dhe ishte Pedri që humbi një rast të pastër, duke goditur jashtë portës.
Goli i parë i ndeshjes erdhi nga Spanja, kur një krosim i Yamal u devijua keq nga mbrojtja portugeze dhe Zubimendi e shtyu topin në rrjetë. Por Portugalia reagoi menjëherë dhe Nuno Mendes barazoi me një goditje të fuqishme nga brenda zonës.
Më pas, Spanja riktheu avantazhin para përfundimit të pjesës së parë falë një kombinimi mes Pedri dhe Oyarzabal, i cili shënoi me një prekje të saktë. Portugalia mendoi se barazoi me Fernandes në fillim të pjesës së dytë, por goli u anulua për pozicion jashtë loje.
Kampionët e Euro 2016 nuk u dorëzuan dhe Cristiano Ronaldo barazoi në minutën e 75-të, duke shënuar nga afër pas një devijimi të krosimit të Mendes. Ndeshja shkoi në shtesë dhe më pas në penallti, ku Rúben Neves vulosi fitoren me goditjen e fundit, pas gabimit të Moratës.
Portugalia bëhet kështu kombëtarja e parë që fiton dy herë Ligën e Kombeve, ndërsa kjo finale mund të jetë edhe turneu i fundit ndërkombëtar për Ronaldon, që mund të mbyllë një kapitull historik me një tjetër trofe. (A2