Nga Erion Murataj
Post vitet 90′ dhanë një ide se blegtoria dhe bujqësia ishte një sektor pa bereqet. Joshja ndaj parasë së shpejt e shthuri dëshirën për tokën dhe kultivimin e saj. Mungesa e drithrave dhe bazës ushqimore shkatërroi në efekt domino edhe blegtorinë . Çdo gjë dukej e likujduar për më shumë se 1 dekadë.
Sytë u rikthyen pasi kërkesa për ushqim bio dhe jo të konservuar u rikthye në nevojë . Një tjetër impuls i fuqishëm ishin bujtinat të cilat padyshim kërkojnë ushqim tradicional dhe bio për të punuar dhe shërbyer agroturizmit. Elbasani është një king maker sa i përket dy kolonave të ekonomisë së fshatit.
Një trevë e bekuar nga natyra ku në pak kilometra katror gjen nga malet me kullotat dhe klima për arrorë apo kultura bujqësore të atyre zonave deri tek fushat e gjëra të Dumresë që shkojnë deri në Myzeqe . Një nderthurje e fortë e painvestuar për ta kthyer Elbasanin si qark në embrionin e një ekonomie që shfrytezon burimet e saj për të përmiresuar jeten e atyre që jetojnë në këtë territor .
Ikja e krahut të punës erdhi natyrshem si kundërpergjigje e harresës dhe copzimit vrastar të shtetit . Që në 1991 si në çdo zonë tjetër dhe në Elbasan copëzimi i ngastrave rripa rripa si ushkur pamundësoi interesin për të investuar në to.
Dhe aty ku ndonjë i rikthyer guxoi, pati zero mbrojtje për ti garantuar të paktën tregun. Sot në kushtet ku ushqimi bio është kthyer në luks Elbasani dhe çdo vend tjetër i begatë i Shqipërisë ka nevojë të mbështetet me një politikë garantuese të tregut dhe qëndrueshmërise së çmimit në lidhje me produktin .
Çdo hallkë e kësaj ekonomie ka nevojë për një politikë shtetërore jo me investime hibride e korruptive por për subvencione reale e të drejtëpërdrejta. Nevoja për një treg të krahut të punës kërkon politikë agresive shtetërore . Ndërsa bashkitë kanë barrën e provës për zotimet e tyre, për të faktuar nëse mendojnë për njerzit apo i përdorin ata sa për tu marrë votat për ti abuzuar 4 vite ciklike.
Pikat e grumbullimit ku koston e viteve të këqija e merr bashkia për të marrë përfitimet e viteve të mira duke garantuar fermerin se s’do ketë humbje por duke i kërkuar njëkohësisht dhe rikompesimin e dëmshpërblimit kur viti është i mbarë .
Vetëm kështu ka një shpresë që të shohim ara të mbjellura, sera që lulëzojnë nga kulturat bujqësore dhe jo nga hashashi si dhe tufa bagëtish për qumesht e mish e jo tufa njerzish që i ngjajnë atyre të bagëtisë ditën e votimit .