Premtimet e Çuçit dhe Nanos të pazbatuara, policët ende pa pagat e prapambetura dhe orët shtesë

0
120

Premtimet e Ministrit të Brendshëm Bledi Çuçi dhe drejtorit të policisë Gledis Nano për kompesimin e punonjësve të rendit që kanë shërbyer me orë të zgjatuara ende nuk kanë gjetur zbatim.

Efektivat që nuk i kanë marrë ende paratë e orëve shtesë janë nga sektori i rendit, rrugorja si dhe forcat shqiponja. Punonjësit e strukturave kanë qëndruar me orare të zgjatura gjatë protestave të zhvilluara në vend ndërkohë që përfitues duhet të ishin edhe ata që kanë qenë me detyra larg vendbanimit.

Një premtim i tillë u bë nga Ministri i Brendshmë Bledi Çuçi i cili tha se brenda muajit Maj punonjësit do të kënë shpërblimin, por pagesa ende nuk është hedhur në llogaritë e punonjësve.

Bledi Çuçi: Në mos gaboj do të jetë në muajin tjetër. Të gjitha ato që ne kemi premtuar dhe që në fakt i kemi parashikuar në buzhetin e shtetit do të realizohen.

Përllogaritja e shtesës së pagës do të bëhet në bazë të kilometrave. Pra 20 deri në 60 km largësi, punonjësi do të përfitojë 20% mbi pagën. Nga 61 km deri 120 km, policët do të përfitojnë 30% më shumë dhe mbi 121 km, do të përfitojnë 50% mbi pagën mujore.

Edhe në kontratën e re të punës, e cila është hartuar nga Sindikata e Punonjësve të Policisë në nenin 14 thuhet se rritja e pagave për punëmarrësit bëhet sa herë që rriten pagat e punonjësve në sektorët e tjerë publik, dhe në çdo rast masa e rritjes së pagës për punonjësit e policisë, në mbrojtje të kësaj kontrate, duhet të sigurojë përparësinë në pagë dhe detyrimisht ruajtjen e raportit të pagave bazë me punonjësit e sektorëve të tjerë publik.