Presidenti francez Emmanuel Macron së shpejti do t’u paraqesë liderëve të partive politike franceze një propozim për të thjeshtuar kushtet për një referendum, me një sy në çështjen shumë të ndjeshme të emigracionit.
Në një letër drejtuar liderëve politikë, Emmanuel Macron përmbledh përmbajtjen e bisedimeve që pati me ta gjatë takimit të 30 gushtit për tejkalimin e ndarjeve dhe ngërçeve që vijnë nga mungesa e shumicës absolute qeveritare në Asamblenë Kombëtare Franceze.
Një nga çështjet e diskutuara ishte kthimi në referendum. Emmanuel Macron njoftoi prezantimin e një propozimi “në javët e ardhshme” për të zgjeruar objektin e këtij mjeti, i cili mund të përdoret për çështjen e emigracionit pas një reforme kushtetuese.
Në letrën e tij prej gjashtë faqesh, presidenti francez pranon se çështja e emigracionit është objekt i mosmarrëveshjeve të njohura, por nuk mund të anashkalohet. Projektligji i imigracionit “do të debatohet në Parlament në vjeshtë” dhe më pas imigracioni mund të jetë subjekt i një referendumi nëse ka marrëveshje për një reformë kushtetuese për të ndryshuar rregulloret përkatëse.
Integrimi i të huajve duhet të trajtohet gjithashtu në dy akse, strehimin dhe politikën e shpërndarjes së të ardhurve në të gjithë territorin francez, tha presidenti francez në letrën e tij.