Princesha Shqiptare që mahniti botën; Njihuni me gruan që u lavdërua nga shumë media të huaja

0
174

Dinastia e shqiptarëve në Egjipt ka qenë një nga dinastitë më të shquara të botës moderne. Mes anëtarëve të saj, është veçuar edhe një princeshë që i ka mrekulluar të gjithë me pamjen, princesha Fevzia, e cilësuar si një nga gratë më të bukura të botës. Kronikat evropiane të shekullit të kaluar nuk mund të linin jashtë vëmendjes së tyre princeshën Fevzia

Fuat Ali, të cilën e kanë krahasuar me Ava Gardner dhe Gracy Kelly, artistet më të famshme të kohës. Princesha Fevzia ishte vajza e madhe e mbretit Fuat të Egjiptit dhe motra e mbretit Faruk. Familja mbretërore egjiptiane e kishte origjinën shqiptare nga Mehmet Ali Pashai, i cili nuk e orientoi Egjiptin drejt Lindjes dhe Portës së Lartë, por drejt Perëndimit veçanërisht drejt Francës dhe Anglisë. Fevzia do të ishte stërmbesa e tij.

Gjyshi i saj, Ismaili, i biri i Mehmetit do të vendosë titullin e lartë të Khedive në mbretërinë egjiptiane, titull që mbeti deri në vitin 1914 kur babai i Fevzies e shpalli veten mbret dhe do shkëputi lidhjet me Perandorinë turke që tashmë ishte shkatërruar.

Ismaili ishte udhëheqësi që themeloi shërbimin postar, modernizoi ushtrinë dhe ndërtoi në gjithë vendin hekurudha. Egjipti filloi të bëhej modern me ndërtesa të bukura dhe me një infrastrukturë moderne. Ai I ishte ndërtuesi i kanalit të Suezit, një kanal artificial detar me gjatësi prej 163 kilometrash– nyja që lidh hemisferën perëndimore dhe atë lindore të tokës. Kanali i Suezit ka rëndësi të madhe strategjike, për arsye se është rruga më e rëndësishme e tankerëve detarë për furnizimin e Evropës me naftën e Lindjes së Afërme. Me përfundimin e punimeve do të merreshin dy bijtë e tij Fuat dhe Said emrin e të cilit do të merrte dhe porti Said. Mbreti Ismail do ta transformonte Egjiptin në një nga vendet më kozmopolite dhe do të hapte rrugën e modernizimit.

Ai dha një ndihmesë të madhe ndaj shqipëtarëve të Misirit të cilët i vuri në poste drejtuese në administratë dhe ushtrinë egjiptiane. Dinastia e shqiptarëve qeverisi Egjiptin për 147 vjet deri në vitin 1952, kur Mbreti Faruk u përzu nga Egjipti nëpërmjet një puçi ushtarak të udhëhequr nga gjeneralët Muhammad Naguib dhe Jamal Abd An-Nasser, të cilët instaluan me dhunë qeveritë e tyre në Egjipt që nga 18 qershori i vitit 1953.

Këtu përfundoi një herë e përgjithmonë Dinastia Shqiptare e Egjiptit. Fevzia ishte motra dhe shoqja më besnike e të vëllait dhe do ndikonte shumë në jetën e tij deri sa ai u bë mbret. Faruku qe shumë i pashëm dhe shumë i dhënë pas qefit dhe bixhozit ndaj dhe mbretëria në kohën e tij do të venitej deri në largimin e tij me një puç ushtarak. Fevzia ishte e hollë, e bukur dhe kishte një figurë tejet elegante.

Ajo është përshkruar nga kronikat e kohës si një bukuri shokuese, shkatërruese zemrash, princesha më e bukur e botës. Shumë gazeta të kohës e kanë quajtur perëndeshën e bukur me origjinë shqiptare. Fotografi sir Beaton do e përshkruante kështu: “Në qoftë se Boticeli do të mishëronte në penelin e tij një Afërditë aziatike, Fevzia do të qe subjekti i duhur. Vetëm pasqyrimi i shpirtit dhe fytyrës së saj engjëllore prej perëndeshe do të na jepte në përjetësi një bukuri magjepse të paparë ndonjëherë me sytë e saj blu dhe buzët e saj si tul qershie, nën kurorën e flokëve gështenjë të errët, do të bënte që burrat e tërë botës të humbisnin mendjen.” Kronikat rozë të shekullit të kaluar do e cilësonin si Miss Botën e pakurorëzuar. Siç ndodh shpesh në mbretëri dhe fati i saj do të ishte të lidhej me një mbret. Kështu në moshën 17 vjeçare ajo u martua me shahun e Iranit, Mohammad Reza Pahlavi, por martesa e tyre nuk rezultoi e suksesshme. Pak vite pas martese do të vinte dhe divorci. Në 28 mars 1949 Princeshë Fevzia do të rimartohej me kolonel Ismail Hussain Shirin Bey, një kushëri i largët i saj (me gjak shqiptar) i cili ishte Ministër i Luftës së Egjiptit. Ata patën dy fëmijë: Nadian dhe Muhametin.

Tashmë emri i saj do te ishte Princeshë Fevzia Shirin, pas martesës së dytë në vitin 1949 dhe kështu do të njihej derisa të përmbysej Dinastia e Shqiptarëve të Egjiptit në vitin 1952. Princeshë Fevzia ka jetuar deri në vitin 2013, ku ndërroi jetë në moshën 91- vjeçare, në Aleksandri.