Probleme me ujin në Elbasan, banorët ankesa për furnizimin, Ujësjellësi: E përdorin për vaditje

0
177

Në disa lagje të Elbasanit banorët ankohen për furnizimin me ujë në këto ditë të nxehta. Në Drejtorinë e Ujësjellësit pranojnë problemet kryesisht në periferi, ku thonë se uji shpërdorohet për vaditje. Mungesa e ujit të pijshëm vijon të jetë problematike në shumë lagje të bashkisë së Elbasanit.

Elbasani është një prej qyteteve ku uji është i kufizuar. Por në disa zona, siç është lagjia “5 Maji”, banorët ankohen se këtë verë nuk u shkon në çezma sipas orareve.

“Edhe në orarin që ka nuk vjen, një ditë vjen, tre ditë nuk vjen.”

“Vetëm investimi mungon asgjë tjetër, ose puna më saktë.”

Në Drejtorinë e Ujësjellësit pranojnë problematikat me furnizimin kryesisht në zonat periferike, por mungesën e ujit atje e lidhin me shpërdorimin e tij.

“Kanë qejf të ujisin dhe arat me ujin e pijshëm por kontrata nuk e lejon.”

Por veç banorëve të periferisë që ujin e pijshëm e përdorin për vaditje, duket se shpërdoruesit e medhej janë bizneset.

Ndaj Ujësjellësi Elbasan thotë se ka nisur një aksion për ti dhënë fund paligjshmërisë dhe abuzimit me ujin, paralelisht me disa investime në rrjet për të përmirësuar shërbimin.

“Ka pasur raste që ka bniznese që paguajnë 6 mijë lekë tarifë shërbimi dhe kanë pishina, është e pamundur dhe ta mendosh. Disa janë kallëzuar penalisht në prokurori, disave u është bërë prerja e ujit, disa të tjerë që kanë pasur vite që nuk e kanë paguar ujin për arsye që ata i dinë ne i jemi drejtuar zyrës përmbarimore”.

Ndërmarrjet e Ujësjellësit në administrim publik kanë rikrijuar një borxh prej 17 miliardë lekësh ose 138 milionë eurosh ndaj OSHEE -se deri në fund të vitit të kaluar.

Si një prej alternativave për të dalë nga kjo situatë është propozuar rritja e çmimit të ujit, ku disa bashki tashmë e kanë bërë fakt.