Prodhimi i qumështit me rritje të lehtë, vetëm 0,5% më 2019

0
556

Pavarësisht se numri i krerëve të bagëtive ka rënë, prodhimi i qumështit është rritur gjatë vitit të kaluar. Shkak sipas ekspertëve është bërë zëvëndësimi i rracave vendase me të reja që prodhojnë më shumë qumësht.

Sipas të dhënave të INSTAT në vitin 2019, sasia e qumështit të grumbulluar është rreth 140 mijë tonë, duke shënuar rritje me 0,49 %, krahasuar me vitin 2018. Gjatë kësaj periudhe, sasia e qumështit të lopës të grumbulluar është rreth 124 mijë tonë, duke shënuar rritje me 3,04 %, krahasuar me 2018.

Nga viti 2015 në vitin 2019 sektori i blegtorisë ka pësuar rënie të ndjeshme si në numrin e krerëve ashtu edhe në prodhimin e qumështit, duke vërtetuar faktin se tashmë, sektori është në një rënie të qëndrueshme. Në katër vitet e fundit, numri i gjedhëve u pakësua me mbi 18 mijë, me një rënie më shumë se 17%. Rënia më e mprehtë u vu re gjatë vitit 2019, ku numri i gjedhëve ra me mbi 11% në raport me vitin 2018.

Sasia e grumbulluar e qumështit të deles, në vitin 2019 është rreth 10 mijë ton, duke pësuar rënie me 16,78 %, krahasuar me një vit më parë. Ndërkohë, sasia e grumbulluar e qumështit nga dhitë është rreth 5 mijë tonë, duke shënuar rënie me 15,41 %, krahasuar me vitin 2018.

Sasia totale e qumështit të prodhuar për konsum, në vitin 2019 është rreth 18 mijë tonë, duke shënuar një rritje me 22,86 %, krahasuar me 2018. Struktura e qumështit të prodhuar në vitin 2019 dominohet nga  qumështi i plotë i përpunuar 74,83 %, qumështi gjysmë i skremuar 23,50 %, qumështi i papërpunuar 1,50 % dhe qumështi i skremuar 0,16 %.

Sasia e prodhuar e djathit sipas llojit të qumështit në vitin 2019 pësoi rënie me 6,79 %, krahasuar me një vit më parë dhe sasia e prodhuar e gjalpit pësoi rënie me 4,86 %, krahasuar me 2018. Ndërkohë, rritje shënoi sasia e prodhuar e djathit të përpunuar (djathë i shkrirë) me 2,14 % krahasuar me një vit më parë.

Nga viti 2015 në vitin 2019 sektori i blegtorisë ka pësuar rënie të ndjeshme si në numrin e krerëve ashtu edhe në prodhimin e qumështit, duke vërtetuar faktin se tashmë, sektori është në një rënie të qëndrueshme. Sipas të dhënave zyrtare të INSTAT, ë katër vitet e fundit, numri i gjedhëve u pakësua me mbi 18 mijë, me një rënie më shumë se 17%. Rënia më e mprehtë u vu re gjatë vitit 2019, ku numri i gjedhëve ra me mbi 11% në raport me vitin 2018.

Në krizë gjenden edhe tufëzat e të imtave për të cilat është vënë re një rënie me 8% në katër vitet e fundit për delet dhe një rënie me 30% numri të dhive. Kjo është reflektuar edhe në prodhimin e qumështit i cili është ulur me gati 2% në katër vitet e fundit.

Ekspertet e bujqësisë pohojnë se disa raca të gjedhit vendas si gjersi, po zëvendësohen me shpejtësi me raca të huaja sidomos në Veri të vendit. Dhitë vendase po zëvendësohen me dhi alpine. Procesi i zëvendësimit të racave është shoqëruar më rënien e numrit të krerëve për kjo nuk ka ndikuar në prodhimin e qumështit.

Blegtorët pohojnë se dy janë shkaqet që kanë çuar në këto rezultate negative. Ferit Sokolaj, i cili zotëron një ferme të madhe dhish në zonën e Tropojës, tha se ka ulur me 30% numrin e krerëve dhe shumë shpejt mund ta mbyllë biznesin për arsye se nuk po gjen punëtorë për t’u kujdesur. Emigracioni i lartë i të rinjve sidomos në zonat malore e kanë bërë të vështirë gjetjen çobanëve, teksa ky fenomen po bëhet rrezik edhe për zhdukjen e fermave të vogla familjare dhe zhdukjen e racave të rralla. Pakësimi i banorëve dhe plakja po bën që familjet në fshat të mos mbarështojnë lopë. Gjithashtu bujqit në veri po zëvendësojnë tufëzat me 10-15 krerë me dy tre krerë nga racat alpine që nuk dalin në kullota dhe prodhojnë të njëjtën sasi të qumështit.

Ndërsa në fermat e mëdha blegtorale të organizuara si biznes, kostot janë të larta nga mungesa e subvencioneve dhe konkurrenca e lartë nga importi. Nëse rajoni dhe sidomos Serbia e subvencionojnë të gjithë zinxhirin e qumështit, në Shqipëri skema e subvencionit nuk ndihmon prodhimin.

Importi i produkteve bulmetore, ku qumështi zë një peshë të konsiderueshme të këtij grupi, u rritën me 22% në peshë dhe 17% në vlerë. Sipas të dhënave të INSTAT, për 12 muajt e vitin 2019 u importuan 23.4 milionë kg produkte bulmetore me një vlerë 3.8 miliardë lekë. Që prej vitit 2013, importet e produkteve bulmetore në vend janë rritur më shumë se 70% në sasi dhe po aq në vlerë.

Të dhënat më të detajuara për kodin doganor 0410, i cili i referohet qumështit, tregojnë se për vitin 2018 (të dhënat për 2019-n ende nuk janë publikuar), janë importuar 9.2 milionë kg qumësht, apo 7.1 milionë dollarë. Në krahasim me vitin 2014, Shqipëria importoi 50% më shumë qumësht nga jashtë.

Kompanitë kryesore të përpunimit të qumështit thonë se janë detyruar që të drejtohen për të blerë në rajon për shkak të mungesës së prodhimit vendas, i cili nuk mjafton për të përmbushur kërkesën e tyre dhe të tregut për produkte bulmetore.

Për çdo vit, për ta po bëhet më e vështirë për të plotësuar nevojat dhe për këtë detyrohen të importojnë nga vendet e rajonit, shpeshherë edhe me çmim më të lirë se mund ta marrin në Shqipëri, kjo për shkak se vendet e rajonit kanë kosto më të ulëta dhe fermat marrin mbështetje dhe subvencione.

Monitor