Projektligji, Google dhe Facebook do detyrohen të ndajnë të ardhurat me mediat në Australi

0
248

Australia është duke u përpjekur për të vendosur rregulla gjithëpërfshirëse, të cilat kanë në plan t’u kërkojnë Facebook dhe Google që të paguajnë mediat për përdorim të përmbajtjes.

Këtë të premte, u prezantua një projektligj në Australi që u mundëson botuesve të lajmeve që të negociojnë për kompesimin që marrin nga gjigantët e teknologjisë. Për momentin, ligjet dhe kërkesat e reja prekin vetëm Google dhe Facebook, por nuk përjashtohet mundësia e përfshirjes së platformave të tjera. “Presioni” i fortë i Australisë ka të ngjarë që të përhapet edhe në shtete të tjera. Një përpjekje e ngjashme ka ndodhur më parë edhe në Francë.

Facebook dhe Google kanë qenë në bisedime me botuesit për vite me radhë për sa i përket mënyrës si ata shfaqin përmbajtjen e kompanive mediatike. Kritikët thonë se gjigantët e teknologjisë fitojnë shumë përmes përmbajtjes së  mediave në internet, por nga ana tjetër nuk u japin atyre vlerën që u takon, ose u japin fare pak.

Të dy palët kanë nevojë për njëri-tjetrin. Google dhe Facebook kanë nevojë për botuesit që të popullarizojnë rezultatet e kërkimit dhe burimet e tyre për informacion të besueshëm, por edhe botuesit kanë nevojë për një vend ku të shfaqin përmbajtjen e tyre.
Për vite me radhë, mediat thonë se Google dhe Facebook përfitojnë padrejtësisht nga lajmet e tyre dhe u japin shumë pak në këmbim. Rregullat e reja në Australi kërkojnë që kompanitë të paguajnë botuesit për lajmet që shfaqen në rezultatet e kërkimit, edhe nëse Google nuk ofron një skedar të Google News për shtete të caktuara./abcnews