Prokurori i Antimafias Italiane: Korrupsioni në Shqipëri në nivel të frikshëm, mafia është pasuruar

0
79

Prokurori i Antimafias Italiane Nicola Gratteri gjatë një interviste ka deklaruar se mafia shqiptare është pasuruar shumë në Shqipëri nga korrupsioni i lartë që ekziston.

“Mafia shqiptare nuk është më ajo e grabitjeve në vila, por është një mafia shumë e strukturuar që është pasuruar shumë në vendin e saj falë një korrupsioni të niveli të lartë”, ka deklaruar Prokurori i Antimafias Italiane Nicola Gratteri gjatë një interviste për një nga youtuber-in më të njohur italian, kantautori Fedez në programin “Mushk i egër” (Muschio Selvaggio).

Prokurori i Antimafias ka theksuar se sot në Europë ka tre mafie të rrezikshme: mafia kalabreze Ndrangheta, mafia shqiptare e mafia e afrikanoveriore.

“Mafia kalabreze Ndrangheta ka një xhiro biznesi të barabartë me 50 miliardë euro në vit, është e pranishme në Australi, në SHBA, Kanada, Gjermani e cila është vendi europian me praninë më të madhe të ndranghetistave në territorin e saj, pasi ka një lesgjislacion të favorshëm e jo një kontrast të vërtetë kundër pastrimit të parave të pista.

Në Gjermani mund të hysh në një dyqan makinash me një valixhe me para të blesh me para në dorë një automjet e askush nuk të pyet se ku i more këto para”, është shprehur ai.

“Mafia kalabreze Ndrangheta ka monopolin e kokainës në Amerikën jugore. Kanë mbërritur të parët në kotraktimin e blerjes e transportit të saj në Europë dhe është e vetmja mafie që mund të blejë kokainë nga pyjet e Amazonës me një çmim 1000 euro kilogrami, kur të gjitha mafiet e tjera e blejnë me 1800 euro.

Nga 1 kg kokainë fitimi është katërfish e nuk ka fitim më të madh se sa ky biznes, kur një gramë kokainë shitet 50 euro.

Ndrangheta mbetet një nga mafiet më të besueshme në bashkëpunimin me kartelet amerikano jugore, për egërsinë e tyre, për numrin e pakët të të penduarve, për garancinë e besueshmërisë që japin në aktivitetit kriminal. Ndrangheta është tashmë në brezin e tretë të brokerave që punojnë e jetojnë në Amerikën e Jugut e kontraktojnë kokainë prej gati tre gjeneratash. Për të hyrë në biznesin e kokainës së familjes të Cosa Nostra i kërkojnë leje Ndragheta-s kalabreze e cila ka monopolin e këtij trafiku në botë,” ka thënë ai.

Prokurori i Antimafias kalabreze ka rrëfyer se sinjalin e parë të kërcënimit mafioz për eleminimin e tij e ka marrë në vitin 1989 kur një natë para ditës së dasmës së tij, banesa e bashkëshortes u qëllua me armë e u dërgua fjalë që të mos shkonte në ceremoni pasi po martohej me një njeri të vdekur.

Nicola Gratteri ka pohuar gjithashtu se është një nga të paktët persona në Itali që ka një mbrojtje maksimale të garantuar nga shteti 24 orë e të nivelit të parë, me pesë automjete të blinduara e një grup bodygardësh që e ndjekin kudo.

“Jua uroj armiqve të mi një jetë të tillë. Është një jetë e tmerrshme,” ka deklaruar Gratteri.

Janë rreth 1000 mafiozë që janë arrestuar për pjesëmarrjen në atentatet që kanë pasur si qëllim eleminimin e prokurorit Gratteri e mesatarisht tre atentate të dokumentuara në muaj, të planifikuara nga mafia e të mbetura në tentativë për t’a eleminuar.

“Ora News”