Prokuroria e Durrësit mbyll hetimet, punonjësit e ASHK-së Kavajë akuzohen për falsifikim dokumentesh dhe shpërdorim detyre

0
46

Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm në Durrës ka përfunduar hetimet dhe ka çuar në gjyq pesë personat e përfshirë, mes tyre dhe ish-drejtorin e Agjencisë Shtetërore të Kadastrës Kavajë.

Ndër të akuzuarit janë inxhinieri dhe juristi i institucionit, të cilët përballen me akuzat e ‘Falsifikimit të dokumenteve’ dhe ‘Shpërdorimit të detyrës’, si dhe përfituesit e pronës. Ata akuzohen se kanë falsifikuar dokumentet dhe hartat e pronave për të përfituar në mënyrë të padrejtë.

Hetimet, të nisura më 21 tetor 2021, kanë ngritur dyshime të arsyeshme dhe të bazuara në prova se punonjësit e ASHK-së Kavajë, përkatësisht hartografi Ing. D.K. dhe regjistruesi S.C., kanë falsifikuar dokumentet për një pronë prej 1900 m². Ata dyshohet se kanë ndryshuar destinacionin e pronës nga ullishte në tokë pa frut në vitin 1991, duke përfituar në mënyrë të padrejtë.

Prokuroria akuzon shtetasin S.C. për ‘Shpërdorim detyre’, sipas nenit 248 të Kodit Penal, për regjistrimin e pronës në shkelje të ligjeve në fuqi. Ndërkohë, shtetasi D.K. akuzohet për ‘Falsifikim dokumentesh’, pasi ka hartuar një hartë të pasaktë të pronës, e cila nuk përputhej me dokumentet zyrtare dhe nuk plotësonte kriteret minimale për t’u quajtur dokument zyrtar.

Nga hetimet e kryera rezulton se harta e përpiluar nga D.K. është një skicë e komisionit të ndarjes së tokës në vitin 1991, por që nuk ka asnjë lidhje me pasurinë në fjalë. ASHK Kavajë gjithashtu nuk ka dërguar planin e rilevimit, duke përkeqësuar më tej situatën.

 

Top Channel