Prokuroria e Tiranës konfirmon për Ora News nisjen e hetimeve për sulmin kibernetik ndaj sistemeve qeveritare.
“Kemi regjistruar procesin penal për sulmin kibernetik nga sistemeve qeveritare”, konfirmoi organi i akuzës për Ora News.Sulmi kibernetik, i cili dyshohet se u ndërmor nga jashtë Shqipërisë,detyroi qeverinë shqiptare të mbyllë shërbimet online për qytetarët.
Burime për Ora News bëjnë me dije se në faqen e AKSH-IT shfaqet një shqiponjë dhe një mesazh ku kërkohet pagesë për zhbllokimin e sistemit.
Të njëjtat burime shtuan se hakerat kërkojnë 30 mln euro për të lejuar rikthimin e sistemit në detyrë.
AKSH-i ka rikthyer në punë disa sisteme dhe faqe qeveritare që u nxorrën jashtë funksionit pas sulmit kibernetik.
Me 17 korrik, sistemet qeveritare u goditën nga një sulm kibernetik. Auoritetet folën për një “sulm masiv kibernetik të pandodhur kurrë më parë, të sinkronizuar dhe të sofistikuar nga jashtë Shqipërisë”.
Sipas versionit zyrtar “metodat mbi të cilat aktorët keqbërës kanë vepruar janë të ngjashme me sulmet e vitit të fundit, të vëna re në hapësirën kibernetike ndërkombëtare.
Teknikat mbi të cilat ky sulm mbështetet janë të së njëjtës natyrë me ato të përdorura për një sërë sulmesh kibernetike në domain-et qeveritare dhe private të kohëve të fundit, si në Ukrainë, Gjermani, Lituani, Maltë, Holandë, Belgjikë dhe vende të tjera të rajonit.
Këto metoda maskohen fillimisht me sulme të tipit Ransomëare, me anë të të cilave keqbërësit kërkojnë të largojnë vëmendjen nga qëllimi real, që është sulmi ndaj sistemeve kritike.
Hapi i dytë i këtij sulmi të përqendruar dhe sofistikuar është goditja në sistemet kritike digjitale të shtetit shqiptar për t’i nxjerrë jashtë funksionit”.