Prokuroria hetim për ‘Wisdom’/ Burimet: Ka nisur në korrik, pas kallëzimit nga rektori për falsifikim të firmës

0
38

Kolegji Wisdom, ndaj të cilit Ministria e Arsimit ka nisur procedurat e mbylljes për shkak të skandalit me diplomat e falsifikuara, është nën hetim nga Prokuroria e Tiranës.

hetimet ndaj kolegjit “Wisdom”, kanë nisur në korrik të këtij viti pas kallëzimit të rektorit Bajram Hysaj për falsifikim të firmës së tij në disa raste.

Sakaq pas skandalit me diplomat false, prokuroria e Tiranës pritet të zgjerojë hetimet dhe të ketë bashkëpunim më të ngushtë me autoritetet italiane. Savino Cianci dhe Leonardo Catalano dyshohet se janë të përfshirë në një skemë mashtrimi me lëshimin e certifikatave dhe diplomave false. Autoritetet italiane kanë provuar se ky institucion i arsimit të lartë në vendin tonë i lëshonte këto dokumente për shtetas italianë që synonin të futeshin në administratë në këmbim të 8 mijë eurove.

 

Kolegji Universitar “WISDOM” në Tiranë sipas dokumentave të QKR është themeluar në vitin 1996 me pronësi 100% shqiptare, por që prej 2021, administrator i saj është italiani Savino Cianci. Për të “garantuar aktivizimin dhe përfundimin e favorshëm të procedurës së akreditimit të institucionit” prokuroria italiane dyshon se dy prej të arrestuarve I kanë dhënë rryshfet një zyrtari të administratës shqiptare.

Skema u zbulua pas denoncimit të një studenti Italian në Prokurorinë e Tranit në Bari ndërsa policia italiane vuri në pranga nëntë persona për korrupsion dhe pastrim parash. Nga skandali Iishitjes së diplomave janë mashtruar rreth 300 persona ndërsa të ardhurat e përfituara nga ky aktivitet I paligjshëm llogariten 10 milionë euro./abcnews.al