Detaje të reja kanë dalë nga ngjarja e rëndë e ndodhur në një lokal në zonën e Skelës, ku një kamarier 18-vjeçar u dhunua nga një efektiv policie jashtë shërbimit. Burime zyrtare bëjnë me dije se pronari i lokalit V. B., 53 vjeç, ka ndërhyrë për të mbrojtur punonjësin e tij dhe ka goditur njërin prej agresorëve, ish-shefin e qarkullimit rrugor të Vlorës, Ardian Isufi, i cili më pas ka përfunduar në spital.
Ngjarja ndodhi pas një incident të parëndësishëm gjatë shërbimit, kur në tavolinën e klientëve ishte sjellë një shishe ujë më shumë sesa ishte porositur. Kjo u bë shkak që Ardian Isufi, aktualisht oficer në Policinë Kufitare Dibër, dhe shtetasi Leart Bimo, me precedentë penalë, të dhunonin fizikisht dhe verbalisht kamarierin.Pamjet e kamerave dhe dëshmitë në vendngjarje konfirmuan agresionin e ushtruar ndaj të riut, i cili mori goditje në fytyrë dhe qafë. Menjëherë pas dhunës, pronari i lokalit ndërhyri për të ndaluar sulmin, duke goditur vetë Ardian Isufin, i cili për shkak të lëndimeve përfundoi në spital.Ndërkohë, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ilir Proda, ka urdhëruar pezullimin e menjëhershëm nga detyra të oficerit Ardian Isufi, deri në përfundimin e hetimeve dhe sqarimin e plotë të rrethanave.