Propozohen afatet për zgjedhjet e pjesshme: Opozita ka kohë deri në 19 tetor për kandidatin, në 1 nëntor nis fushata

0
2

Kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, i ka propozuar Rregullatorit afatet për organizimin e zgjedhejve të pjesshme vendore që do të mbahen në gjashtë bashki të vendit: Tiranë, Berat, Vlorë, Tepelenë, Cërrik dhe Mat.

Sipas këtij kalendari, fushata zgjedhore do të nisë në 1 nëntor 2025, ndërsa procedurat paraprake nisin që në fillim të muajit tetor. Deri më 6 tetor, zyrat e gjendjes civile në bashkëpunim me Drejtorinë e Përgjithshme të Gjendjes Civile duhet të dorëzojnë listat e zgjedhësve.

Partitë politike kanë afat deri më 11 tetor për t’u regjistruar si subjekte zgjedhore në KQZ, ndërsa koalicionet duhet të paraqiten jo më vonë se 16 tetori. Sa i përket kandidatëve, dokumentet e tyre duhet të dorëzohen deri më 19 tetor: në KQZ për Tiranën, Vlorën dhe Beratin, ndërsa në KZAZ për bashkitë Tepelenë, Cërrik dhe Mat.

Me këtë propozim, KQZ synon të përcaktojë qartë afatet ligjore për të gjitha palët e përfshira, përpara nisjes së fushatës elektorale në fillim të nëntorit.