Protestë kundër TEC-it/ Banorët në Roskovec ankohen se përdorimi i gazit do të rrisë ndotjen

0
2

Dhjetëra banorë të fshatrave të Roskovecit janë ngritur sot në një protestë kundër ndërtimit të një termocentrali të ri me kapacitet 170 MW, projekt i miratuar nga qeveria.

Banorët kanë shprehur shqetësimin e tyre për dëmet e mundshme që termocentrali do të shkaktojë në mjedis, shëndetin e popullatës dhe tokat bujqësore.

Sipas protestuesve, ndërtimi i impiantit, që do të prodhojë energji nga gazi, do të sjellë ndotje dhe helmim të përmasave të mëdha, duke rrezikuar shëndetin e banorëve dhe cilësinë e jetës në zonë. Banorët kanë kritikuar ashpër faktin që vendimi për ndërtimin e termocentralit është marrë pa asnjë konsultim me komunitetin.

Banorët theksuan se ndërtimi i këtij termocentrali nuk përfaqëson të ardhmen që ata dëshirojnë për fëmijët e tyre dhe për mjedisin ku jetojnë.

Ata thonë se janë të vendosur të kundërshtojnë deri në fund ndërtimin e termocentralit dhe paralajmëruan se çështjen do ta çojnë deri në Parlamentin Europian, në përpjekje për të mbrojtur interesat e tyre. Në shenjë revolte, ata dogjën një nga shtyllat e vendosura për piketimin e zonës ku pritet të nisë ndërtimi.

Sipas një vendimi të Këshillit të Ministrave, termocentrali do të ndërtohet dhe vihet në operim brenda 36 muajsh nga hyrja në fuqi e këtij vendimi dhe do të ketë një periudhë operimi 49-vjeçare.

 

Top Channel