Prrenjas/ Të sëmurë dhe me shtëpi të shkatërruar familja Muça apel per ndihme

0
228
Foto ilustruese

Nuk janë pamje që vijnë nga Mesjeta, por nga fshati Gurrë në Përrenjas. Në këtë banesë të shkatërruar jeton familja Muça me 5 pjesëtarë.

Sikur të mos mjaftonte skamja prej vitesh vuajnë dhe nga sëmundje të parikuperueshme. Fëmijët janë të prekur nga sëmundjet të shëndetit mendor, që pavarësisht dëshirës për të jetuar mirë nuk ndihmojnë dot. S’mund të mos lotosh bashkë me Tatjanën që nuk mendon për vete teksa shpreh këtë dëshirë.

Kjo familje goditjen e fundit e mori dy vjet më parë kur kryefamiljarit që vuan nga diabeti sëmundja ju agravua dhe mjekët u detyruan për t’i shpëtuar jetën t’i prisnin këmbën.

Ai la punën në minierë dhe sot nuk ka përfituar ende as kemp. Jetojnë me të ardhur minimaliste në terr të plotë pasi nuk kanë as energji se nuk kanë para ta paguajnë.

“Marrim ndihmë ekonomike dhe kemp për dy vajzat. Gjithsej 25000 lekë në muaj,” tregon ai.

Ne takuam dhe infermieren e fshatit Merushe Muçën, që kujdeset vazhdimisht për shëndetin e kësaj familjeje. Ajo na tregon përpjekjet e saj që kryefamiljari të përfitojë kemp.

“Vij i mas diabetin e ka 300-400 ka raste, aplikuam për kemp tani mbeti prej koronës. Është gjynah që Kadriu mos marrë kemp,” thotë ajo.

Barra më e madhe i ka rënë zonjës së shtëpisë por ajo situatën në familje e përshkruan me dy fjalë.

Ndërsa një fqinje e tyre apelon për ndihmë.

“Këto janë pa përkrahje. Fëmijët i ka të sëmurë, shtëpia është e prishur, rrugë nuk ka. Kanë shumë nevojë për ndihmë.”

Largohemi të trishtuar nga kjo familje, por me shpresën e madhe se dikush do ketë marrë mesazhet e tyre të sinqerta dhe do t’i ndihmojë. /abcnews