PS harton draftin për mbrojtjen nga SPAK-u, Manja: Ja kush janë 7 zyrtarët e lartë që nuk mund t’i pezullojë gjykata

0
2

Një propozim për ndryshime në Kodin e Procedurës Penale synon të zgjerojë listën e zyrtarëve të lartë që nuk mund të pezullohen nga detyra me vendim gjykate.

Propozimi i prezantuar nga kryetari socialist i Komiisonit të Ligjeve, Ulsi Manja, parashikon shtimin e shtatë kategorive të reja në listën e funksionarëve që përjashtohen nga kjo masë ndaluese, duke përfshirë Presidentin e Republikës, Kryeministrin, ministrat, Avokatin e Popullit, anëtarët e Gjykatës Kushtetuese dhe Kreun e Kontrollit të Lartë të Shtetit.

Në fjalën e tij në mbledhjen e grupit parlamentar të PS-së, Manja sqaroi se ndryshimi ligjor fokusohet tek neni 242 i Kodit, i cili aktualisht përjashton nga masa e “pezullimit nga detyra” vetëm personat e zgjedhur sipas Kodit Zgjedhor, konkretisht deputetët, kryetarët e bashkive dhe anëtarët e këshillave bashkiakë. Me shtesat e propozuara, numri i subjekteve të mbrojtura nga kjo masë shkon nga tre në dhjetë.

Sipas socialistëve, qëllimi i ndërhyrjes nuk është krijimi i paprekshmërisë, por garantimi i funksionimit normal dhe të pandërprerë të institucioneve më të larta të shtetit. Argumenti kryesor është se këto institucione burojnë drejtpërdrejt nga Kushtetuta dhe përbëjnë shtyllat kryesore të shtetit të së drejtës.

Propozimi, tha Manja, synon të vendosë një balancë mes nevojës për hetim penal dhe domosdoshmërisë për të mos penguar ushtrimin e funksioneve kushtetuese, duke respektuar parimin e ndarjes dhe balancimit të pushteteve.

Po ashtu, Manja theksoi se ndryshimi ka natyrë thjesht procedurale dhe nuk zgjeron imunitetin kushtetues.

Sipas tij, zyrtarët në fjalë mbeten plotësisht të hetueshëm dhe të ndjekshëm penalisht. Prokuroria ruan të drejtën të kryejë hetime, ndërsa gjykata ruan kompetencën të vendosë masa të tjera sigurimi personal, si arresti në burg apo arresti në shtëpi, të cilat kufizojnë lirinë fizike të individit dhe nuk preken nga ky propozim.

Dallimi thelbësor bëhet mes “masave shtrënguese” (arresti) dhe “masave ndaluese” (pezullimi nga detyra).

Ndryshimi i propozuar prek vetëm masën ndaluese, e cila ka karakter funksional. Iniciatorët i referohen edhe qëndrimeve të Komisionit të Venecias, sipas të cilit pezullimi nga detyra përbën një ndërhyrje të tërthortë të gjyqësorit dhe është praktikisht i barabartë me një shkarkim de facto të funksionarit, duke cenuar balancën mes pushteteve.

Ardit Murataj