- Shkarkimi i Roland Kristos, njeriut të Lucës në Ministrinë e Bujqësisë, ndodh në të njëjtën kohë me rritjen e presionit amerikan ndaj rrjeteve të biznesit pranë kryeministrit. Nga sanksionet e fundit të SHBA te aktivizimi i DEA-s në Tiranë, duket se Rama po distancohet nga njerëzit e tij më të afërt ndërsa Luca nis sulmin publik kundër qeverisë…
Gjergj Luca, një nga përkrahësit më të zjarrtë dhe aktivë të Edi Ramës në hapësirën virtuale dhe mediatike, papritur sot ishte xhindosur me qeverinë e mikut të tij.
Të cilin e konsideron një hero kombëtar që po e çon vendin në Europë.
Vetë Luca, por edhe grupi i tij i pasuesve mediatikë, sot kanë nisur një sulm të koordinuar ndaj qeverisë për heqjen e Roland Kristos nga posti i zv.ministrit të Bujqësisë. Luca ishte një nga më entuziastët në kohën kur ministër i Bujqësisë u emërua kryebashkiaku i Cërrikut, Andis Sala. Ngaqë në zonën e Elbasanit dhe përreth ai ka të përqendruar biznesin, ku ka krijuar një lidhje të fortë në territor, sa është kthyer edhe në një faktor elektoral ku lobon për PS-në, gjë të cilën e thotë edhe vetë.
Roland Kristo duket ka qenë njeriu i afërt i Lucës dhe lobit të tij të peshkimit në Ministrinë e Bujqësisë, e këtë e pranon vetë përkrahësi i zellshëm i Edi Ramës, i cili thotë se Kristo ishte një nga specialistët më të mirë në Europë.
Sipërmarrësi deklaroi se vendimi i qeverisë për të shkarkuar nga detyra e zëvendësministrit, biologun me 22 vite eksperiencë, nuk është vetëm paturpësi për shtetin në raport me Roland Kriston, por edhe një humbje e madhe ekspertize për mbarë sektorin e peshkimit në Shqipëri.
Ndërkaq, disa përkrahës mediatikë të Lucës shkojnë më tej duke sulmuar Taulant Ballën, se ka vendosur në krye të sektorit një njeri të afërt të tij.
Megjithatë, duket e qartë se gjithçka vjen nga lart, përkatësisht nga njeriu që dashuron Luca: Edi Rama. Është kryeministri, pra qeveria, që shkarkon dhe emëron zëvendësministrat apo drejtorët e përgjithshëm.
Po pse do ta shkarkonte Edi Rama një njeri të mikut të tij Gjergj Luca në Ministrinë e Bujqësisë, kur për më tepër është mjaft i kualifikuar? Për ta zëvendësuar me një të ri që nuk i ka atributet profesionale dhe eksperiencën e Kristos?
Përgjigjja që vjen natyrshëm është se kjo mund të ketë ndodhur pikërisht sepse ai konsiderohet përkrahës i Lucës, e jo sepse është ai që është. Një zhvillim që duket qartë edhe në irritimin e biznesmenit, i cili deri më sot e ka pasur “grurë” me kryeministrin dhe mazhorancën.
Madje edhe me Taulant Ballën, kundër të cilit ka ndërsyer njerëzit e tij më të afërt mediatikë. Ndaj vjen një tjetër pyetje në këtë situatë: a po e braktis apo lëshon Rama mikun e tij të fëmijërisë, Luca? Edhe nëse po, përse po ndodh kjo?
Kjo do të kuptohet më mirë në ditët në vijim, por ajo që duket është se nga SHBA ka disa lëvizje të forta ndaj atyre që deri tani janë quajtur sipërmarrës pranë kryeministrit.
Disa ditë më parë, një nga këta sipërmarrës nga më të fuqishmit është sanksionuar familjarisht nga qeveria e Shteteve të Bashkuara dhe Departamenti i Thesarit i ka bllokuar të gjitha transfertat bankare në Amerikë.
Një lëvizje që duket ka ardhur nga një hetim i hollësishëm në Shqipëri dhe më tej. Para dy muajsh, DEA, e cila ka hapur zyrën në ambasadën amerikane në Tiranë, kërkoi ndihmë nga publiku për të informuar për trafikantët e drogës dhe pastrimin e parave. Një prioritet që administrata Trump po investon shumë brenda SHBA-së por edhe jashtë saj.
DEA në realitet ka rritur aktivitetin hetimor në Shqipëri, së bashku me burimet e saj, edhe si pasojë e shtimit të numrit të trafikantëve shqiptarë që veprojnë në Amerikën Latine, Kanada, por edhe në SHBA. Përveç trafiqeve, një pjesë e rëndësishme e hetimit të DEA-s është edhe adresimi i investimit të parave në Shqipëri dhe jashtë saj.
Sanksionet ndaj Luftar Hysës së Sinaloa-s kanë rastisur në një kohë me largimin e njeriut të Lucës nga Ministria e Bujqësisë.
Një sinjal që kërkon të tregojë se Edi Rama po reflekton apo po distancohet nga biznesmeni që e përkrah hapur atë.
Pse po ndodh kjo, po e ndjen lagështirën që mund të vijë nga SHBA dhe kërkon të veprojë paradhënie?
Kjo duhet parë në vazhdim, ndërkohë që prej vitesh edhe biznesmeni patronazhist është përmendur nga media të ndryshme për lidhje të mundshme me rrjete të nëntokës kriminale./Pamfleti


