Avniu, një 46 vjeç nga Tirana, është vetëm një prej atyre që përmes punës në të zezë përpiqen të sigurojnë të ardhura për familjen. Po si është të çohesh në mëngjes dhe të shpresosh që dikush të të marrë në punë?
“Në 6 të mëngjesit dal nga shtëpia, rri 5 orë këtu. Ka ditë që ka punë. Ka dite që nuk ka. Sot ishte mirë, punova nga ora 7 deri në 9”, thotë ai, teksa ndodhet në një zonë qendrore buzë Lanës.
Fatmiri thotë se çka merr nuk i mjafton për të mbuluar kostot e jetesës dhe buzë stolave të Lanës është përherë në kërkim të një dite pune.
“Janë 30 veta, këtu kemi 15-30 ditë pa punë”, thotë ai, por e sotmja ishte një prej ditëve me fat për Fatmirin; dikush kishte nevojë për punën e tij, dhe largohet.
Të tjerë, si një 40 vjeçar, babai i tre vajzave, thotë se ata nuk e njohin fundjavën si ditë për pushim, edhe pse ajo jo gjithmonë sjell të ardhura.
Papunësia vijon të mbetet një problem në vend, hendek që u përkeqësua edhe më shumë nga pandemia. Sipas INSTAT, niveli aktual i papunësisë është 11.6 për qind, shifër kjo larg 2019-s, ku ky tregues ishte në kuotën e 11.2 për qind, thënë ndryshe janë 36,811 të punësuar më pak.
A2