Punësimi në kooperativa/ Kushtet për njohjen automatike të vjetërsisë në punë

0
199

Për vite me radhë, qindra persona çdo vit, gra e burra që kanë punuar dikur disa vite në ish kooperativat bujqësore, kanë qenë të detyruar të shkojnë nëpër gjykata për të vërtetuar vjetërsinë në punë. Sepse regjistrat e vjetërisë në punë të kooperativave ku kanë punuar nuk ekzistojnë.

Me ligjin e ri “Për njohjen si periudhe sigurimi për efekt përfitimi nga sigurimet shoqërore të kohës së punësimit në ish-kooperativat bujqësore” të miratuar në seancën e fundit në Kuvend, çdo personi që deklaron se ka punuar në një kooperativë të caktuar dhe ka jetuar në atë fshat që provon se nuk ka qenë në shkolle dhe nëse kooperativa është në listën e kooperativave që nuk disponon dokumente i njihet automatikisht vjetërsia në punë.

Deputeti i Partisë Socialiste, Ilir Beqaj tha se çdo proces gjyqësor ka kushtuar 40 – 50 mijë lek. Në fund të procesit gjithmonë ka fituar qytetari.

Ai shpjegoi se për të qenë përfitues të këtij ndryshimi mjafton që periudha e pretenduar e vjetërsisë në punë të jetë midis krijimit të kooperativës dhe shpërndarjes së tyre në 1991.

Beqaj bëri të ditur se listën e ish kooperativave për të cilat nuk ka dokumentacion e disponon Instituti i Sigurimeve Shoqërore. Këtë listë do ta miratojë edhe Këshilli i Ministrave.

“Nga viti i ardhshëm disa qindra qytetarë çdo vit do të kenë më të lehtë procedurat e lidhjes së pensionit të pleqërisë”, tha ai.

Ministria e Financave dhe Ekonomisë dhe Instituti i Sigurimeve Shoqërore kanë shprehur angazhimin për të siguruar trajtimin e nevojshëm dhe të shpejtë për ish punonjësit në rreth 40 kooperativa nga ato në Kukës dhe Shkodër, Tiranë apo edhe deri në Vlorë dhe Sarandë./a.a/atsh