Gjermani nuk po ndalet së ndërmarri politika për të tërhequr sa më shumë mendje të ndritura dhe duar të forta për të fuqizuar ekonominë e vet.
Deri në fund të këtij viti Gjermania planifikon të lëshojë 20 mijë viza profesionale, ndërsa në harkun kohor të një viti Republikës Federale i mungojnë 400 mijë punonjës.
“Gjermania po ndjek politika agresive, afruese, veçanërisht për punonjësit nga vendet e Ballkanit Perëndimor. Ndër to përmendim, së pari i heq gjithë burokracitë për të marr një leje pune, së dyti nuk i kërkon medoemos diplomat apo kualifikimet, kërkon një minimum të njohjes së gjuhës gjermane për ato profile pune që e kërkojnë medoemos atë, ndërsa për punë të thjeshta nuk e kërkon fare gjuhën, por mjafton që të jetë i aftë për ta kryer atë detyrë.
Përkundër politikave gjermane, Shqipëria po ndërmarr nga krahu i vet një seri masash. Rezistenca në Shqipëri konsiston në rritjen e pagave të administratës publike, përmes thirrjeve drejtuar sektorit privat që edhe ai të reflektojë me rritjen e rrogave.
Po ashtu po merren masa për konsolidimin e arsimit profesional. Së fundit përmes disa mekanizmave dhe ndryshimeve që po ndodhin në shkollat e mesme, duke shtuar dy pozicione të reja, mësuesin e karrierës dhe atë të cilësisë. Ata do të ndikojnë të dy, njëri për të identifikuar prirjet dhe talentin e nxënësit dhe tjetri për të ruajtur cilësinë dhe standardet e mësimdhënies për fëmijët tanë”, tha Erion Muça-Ekspert për punësimin.
Top Channel