Punimet artizanale në Elbasan drejtë zhdukjes, interesi nga të rinjtë pothuajse zero

0
193

Punimet artizanale sipas mjeshtërave janë drejt zhdukjes, pasi interesi i brezave të rinj është thuajse zero. Dafina Bërdufi është ndër të paktat gra që jeton në një fshat të Elbasanit dhe udhëton çdo ditë për të ekspozuar punimet që janë kryesisht me motive nga zona e Shpatit. Ajo shpreh shqetësim që transmetimi i kësaj tradite tek brezat e rinj është shumë i pakët .

Të gjithë jetën e saj Dafina Bërdufi ia ka dedikuar punimeve artizanale me shtiza.

Që në rininë e hershme e deri sot ajo thur, qëndis dhe krijon objekte të ndryshme artizanale. Këtë pasion e ka trashëguar nga nëna e saj por dhe pse nuk siguron shumë të ardhura ajo nuk ka hequr dorë.

“Me këtë zanat jam rritur dhe nuk e lë dot këtë zanat. E bëj për pasionin tim, nxjerr modele nga interneti dhe i bëj. Ma ka futur mami në gjak që e vogël dhe nuk e lë këtë zanat,” tha ajo.

Ajo jeton në një fshat të Elbasanit, por kjo nuk e ka penguar që të udhëtojë çdo ditë për të ekspozuar punimet që janë kryesisht me motive nga zona e Shpatit.
Edhe ditët e para të janarit, atë e gjejmë në tregun modest të artizanaleve në Elbasan.

 “Punoj motive të zonës së Shpatit. Janë modele me lule dhe mi ka mësuar mami,” tha ajo.

Shitja e këtyre punimeve mbetet sfidë, pasi siç ajo tregon se pjesa me e madhe e qytetarëve thjesht pyesin për çmimin dhe nuk blejnë , edhe pse çmimet janë modeste.

“Më shumë vijnë për të pyetur dhe ikin, nuk blejnë,” tha ajo.

Dafina thotë se interesi i këtyre punimeve tek brezat e rinj, është thuajse zero. Ndaj kërkon që institucionet ti kushtojnë më shumë vëmëndje, punimet artizanale të cilat janë pasuri e çmuar e kulturës dhe identitetit të vendit.