Punonjësi i Burgut të Lushnjes u arrestua për ryshfet, pezullohet drejtori dhe nëndrejtori

0
2

Drejtoria e Burgjeve ka vënë në pranga një punonjës të burgut të Lushnjes për ryshfet.

Pas denoncimit nga emisioni Stop, ku u filmua Irekli Leka duke marrë një shumë parash në këmbim të një leje shpërblyese për një të dënuar, punonjësit i burgut është përjashtuar nga radhët e Policisë së Burgjeve.

Po ashtu janë pezulluar nga detyra drejtori dhe nëndrejtori i IEVP Lushnje.

Njoftimi i Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve:

Në vijim të ngjarjes së ndodhur mbrëmjen e djeshme, ku Shefi i Regjimit të Brendshëm në Institucionin e Ekzekutimit të Vendimeve Penale (IEVP) Lushnjë, Irekli Leka, u filmua duke marrë një shumë parash në këmbim të një leje shpërblyese për një të dënuar, Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve ka ndërmarrë menjëherë masa administrative dhe disiplinore.

Me Urdhër të Drejtorit të Përgjithshëm është pezulluar nga detyra drejtori dhe nëndrejtori i institucionit si dhe është përjashtuar nga radhët e Policisë së Burgjeve punonjësi i dyshuar për korrupsion pasiv.

Pas publikimit të pamjeve filmike në emisionin investigativ “Stop”, Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve, në bashkëpunim të ngushtë me Shërbimin e Kontrollit të Brendshëm dhe nën koordinimin e Strukturës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), ka bërë të mundur arrestimin e punonjësit të dyshuar brenda 30 minutash nga transmetimi i materialit filmik.

Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve falënderon median për angazhimin e saj në zbardhjen e rasteve të abuzimit me detyrën dhe thekson angazhimin e palëkundur për të garantuar integritetin, transparencën dhe zbatimin me përpikëri të ligjit në çdo hallkë të sistemit penitenciar.