Punonte çoban në Greqi, gjendet i pajetë 60 vjeçari/ Punëdhënësi grek e kishte denoncuar të humbur

0
4

Një emigrant shqiptar nga Erseka është gjetur i pajetë në territorin grek, pranë kufirit me Shqipërinë, vetëm dy ditë pasi ishte shpallur i humbur nga punëdhënësi i tij.

Burime zyrtare nga policia bëjnë me dije se viktima është identifikuar si F.K., 60 vjeç, i cili punonte prej vitesh si çoban në Greqi. Trupi i tij është gjetur në zonën malore të Gramozit, në tokë greke, pranë fshatit me të njëjtin emër.

Sipas informacioneve, 60-vjeçari kishte humbur kontaktet me punëdhënësin më 22 shtator dhe u raportua i zhdukur menjëherë pas kësaj date.

Autoritetet greke kanë nisur hetimet për të zbardhur shkaqet e vdekjes, ndërsa ende nuk është bërë e ditur nëse në trupin e viktimës janë konstatuar shenja dhune. Pritet që ekspertiza mjeko-ligjore të hedhë dritë mbi rrethanat e ngjarjes.

Po ashtu, autoritetet greke janë në kontakt me palën shqiptare për të koordinuar veprimet e mëtejshme procedurale./ abcnews.al /