Puntori bie nga pallati dhe humb jeten, arrestohet pronari

0
187

Një 60-vjeçar ka humbur jetën në Vlorë, pasi ka rënë nga një pallat në ndërtim. Ngjarja e rëndë ndodhi rreth orës 11:55 në lagjen Uji i Ftohtë në Vlorë ku 60 vjeçari i me inicialet si A. P., teksa punonte në një pallat në ndërtim ka rënë aksidentalisht nga lartësia.

Pallati ku po punonte viktima, ishte i paligjshëm dhe pas verfikimeve të grupit hetimor, u vu në pranga bashkëpronari i pallatit, Maksim Hekurani dhe drejtuesi teknik i firmës Altin Karalli.

Ndaj 70 vjeçari Maksim Hekurani rëndon akuza për veprën penale ‘Ndërtimi i paligjshëm’ me pasoja të rënda, ndërsa 53 vjeçari Altin Karalli akuzohet për ndërtim të paligjshëm dhe shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë.

Njoftimi i Policisë së Vlorës:

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Vlorë, në përfundim të veprimeve hetimore të kryera në drejtimin e Prokurorisë, për ngjarjen e ndodhur ditën e sotme, në lagjen ‘Uji i Ftohtë’, ku dyshohet se aksidentalisht ra nga lartësia e pallatit në të cilin ishte duke punuar, shtetasi A. P., 60 vjeç, i cili për pasojë humbi jetën, arrestuan shtetasit:

-M. H., 70 vjeç, banues në Vlorë, bashkëpronar i pallatit që po ndërtohej, për veprën penale ‘Ndërtimi i paligjshëm’ me pasoja të rënda, me qëllim fitimi, pasi nga verifikimet e kryera ka rezultuar se punimet në këtë pallat po kryheshin pa lejen e organeve kompetente;

-A. K., 53 vjeç, me detyrë administrator dhe drejtues teknik i firmës që po ndërtonte këtë pallat, banues në Vlorë, për veprat penale ‘Ndërtimi i paligjshëm’ me pasoja të rënda, me qëllim fitimi dhe ‘Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë’.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme hetimore.