“Pusho shqip” bën bashkë shqiptarë të Shqipërisë dhe Kosovës/ 184 mijë turistë të huaj vetëm në qershor

0
235

“Nga 1 deri më 30 qershor kanë hyrë në Shqipëri 184 mijë turistë të huaj, ku numrin më të madh e kanë padyshim miqtë nga Kosova që përsëri dëshmuan se duan dhe po bëjnë pushime shqip”.

Kështu deklaroi sot ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi në takimin e zhvilluar në Shëngjin, Lezhë, ku ishte i pranishëm edhe ministri i Tregtisë dhe Industrisë i Kosovës,  Vesel Krasniqi si dhe prefektët dhe kryetarët e bashkive të zonave të bregdetit të Shqipërisë, kryetarët e bashkive të Prizrenit dhe Prishtinës, si edhe disa nga turoperatorët e rëndësishëm.

Qëllimi i takimit ishte zyrtarizimi i sezonit turistik, masat e marra për mbarëvajtjen e sezonit, si dhe trajtimi i problematikave dhe shkëmbimi i mendimeve, eksperiencave si të bashkëpunojmë më mirë për të gjallëruar turizmin midis dy vendeve tona.

“I ftoj nga këtu të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës që vërtet pushimet e tyre t’i kryejnë në plazhet dhe vendet turistike të Shqipërisë, në bregdetin shqiptar sepse këtu veç pushimit mund të gjeni dhe ngrohtësinë shpirtërore. Këtu ne ndihemi si në shtëpinë tonë dhe jemi si në shtëpinë tonë për këtë arsye ne nuk kemi nevojë të shkojmë për pushime në bregdete të tjera për faktin se ne jemi një komb, kemi një kulturë dhe mikpritja e cila ju bëhet kosovarëve nga vëllezërit tanë këtu në Shqipëri nuk mund ta gjeni askund”, – tha Vesel Krasniqi, ministri i Tregtisë dhe Industrisë së Kosovës.

Prandaj, vijoi Krasniqi, ju bëj thirrje publike që pushimet publike ta kalojnë këtu në bregdetin shqiptar.

“Njëkohësisht siç ju bëjë thirrje dhe vëllezërve tanë këtu nga Shqipëria që pushimet dimërore sigurisht ti kalojnë në shtetin e Kosovës”, tha Krasniqi.

Në takimin e zhvilluar disa javë më parë në Prishtinë ministrat tanë u dakordësuan për hapjen sot të sezonit turistik veror në Shqipëri dhe në fund të tetorit për të hapur sezonin turistik dimëror në Kosovë.

Gjithashtu ata ranë dakord dhe për të krijuar një platformë të përbashkët me të gjitha destinacionet turistike, historike, kulturore të përbashkët mes dy vendeve, e cila do t’iu shërbente turistëve të huaj nga rajoni, Europa e më gjerë.

Ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi, theksoi se “ne ishim të parët në rajon që hapëm kufijtë në 1 qershor. E hapëm të parin kufirin me Kosovën. Qershori i këtij viti ka sjellë në Shqipëri, mbase shumë më pak se sa i njëjti qershor i vitit 2019, por ama nga 1 deri më 30 qershor kanë hyrë 184 mijë pasaporta të huaja ku numrin më të madh e kanë padyshim miqtë kosovarë që përsëri dëshmuan se duan dhe po bëjnë pushime shqip. Duan dhe do të bëjnë pushime në Shqipëri, duan dhe do të bëjnë kontributin e tyre të vazhdueshëm për këtë industri qindra-miliona euroshe të krijuar me industrinë e turizmit”.

“Në 2013 në Shqipëri kanë hyrë 3 milionë pasaporta të huaja, në 2019 u dyfishua dhe u tejkalua dyfishimi 6. 4 milionë pasaporta të huaja, 2020 do të ishte një vit i jashtëzakonshëm, ku padyshim do të shkonim mbi 7 milionë vizitorë të huaj. Por, s’duhet të harrojmë që në këto shifra të rritura pasaporta kosovare shkon mbi 35% dhe besnikëria e këtij pushuesi na ka bërë që ne të jemi kaq shumë të avancuar në këtë përpjekje të madhe të përbashkët për të ndërtuar për turizmin”, – tha Klosi.

Në këtë takim u diskutua mes të tjerash për problematikat e këtij sezoni, ku sigurimi i kushteve të higjienës dhe pastërtisë në stacionet e plazhit është kusht i panegociueshëm dhe e vetmja mundësi për t’u mbrojtur në këtë pandemic të COV19.

Ndërkohë Klosi siguroi se gjatë gjithë sezonit do të bashkëpunohet me policinë për sigurimin e rendit dhe qetësisë me rojet e plazhit për sigurimin e jetës, si dhe janë marrë masa për sigurimin e higjienës.

“Ne do të përpiqemi padyshim në politikat afatgjata të Ministrisë së Turizmit, të ndërtojmë bregun shqiptar si pasuri kombëtare e t’ja afrojmë në radhë të parë gjithë rajonit , jo vetëm shqiptarisë dhe këtë ta afrojmë nëpërmjet investimeve të drejtpërdrejta, Rruga e Kombit, Rruga e Arbrit, autostrada joniane janë investime të drejtpërdrejta që do të bëjnë që bregu shqiptar bregu i shqiptarisë, të jetë bregu pushues i rajonit, për gjithë vendet e Ballkanit Perëndimor”, – nënvizoi Klosi,

Por, shtoi Klosi, ne na duhet që së bashku të njohim vendet e trashëgimisë natyrore , të vizitojnë Shqipërinë.

“Prandaj kemi partnerët tanë mbështetës të politikave të Ministrisë së Turizmit. Ne kemi shpallur për këtë vit fushatën e re “Pusho Shqip”, e cila do të kërkojë të rikthejë në ndjesinë e gjithsecilit për të njohur më shumë Shqipërinë, për të respektuar qindra miliona euro investime të vitit 2020”, tha Klosi.

Më pas gjatë takimit diskutuan kryetarët e bashkive dhe operatorët turistikë, ndërsa të pranishmit vizituan edhe Qendrën e Vizitorëve në Kune Vain, etj

atsh