Kremlini ka mohuar lajmet se presidenti rus, Vladimir Putin, mund të japë dorëheqjen vitin e ardhshëm për arsye shëndetësore.
Ishin mediet britanike ato që raportuan këtë javë burimet e afërta me presidentin, sipas të cilëve 68-vjeçari po vuan nga sëmundja e Parkinsonit.
Sipas burimeve, për shkak të kësaj gjendjeje që prek trurin, Putini ka nisur të shfaqë dridhje të duarve, dhimbje dhe lëvizje të pavetëdijshme të gjymtyrëve të poshtëm.
Raportohet se vajzat e tij gjithashtu i kanë kërkuar kreut të shtetit të heqë dorë nga posti publik.
Studiuesit edhe më herët kanë shprehur dyshimet për fillesat e Parkinsonit te presidenti rus për shkak të ecjes së tij karakteristike.
Ai zakonisht nuk e lëviz dorën e djathtë njëkohësisht me hapat e këmbëve, edhe pse kjo besohet të jetë pasojë e viteve të trajnimit nga KGB-ja, kur atij si ish-oficer i kërkohej ta mbante dorën e djathtë afër kraharorit në mënyrë që të qëllonte shpejt me pistoletë në rast rreziku.
“Presidenti gëzon shëndet të shkëlqyer. Këto janë sajime të qarta dhe as duhen komentuar,” reagoi të premten zëdhënësi i qeverisë ruse.
Raportimet për Putinin vijnë në kohën kur ai personalisht ka propozuar një ligj që do u njohë presidentëve imunitet të përjetshëm ndaj përndjekjeve penale kur ata largohen nga detyra.
Presidenti udhëheqë Rusinë prej 20 vitesh dhe muajt e fundit fitoi edhe një referendum që i lejon atij të garojë për karrigen më të lartë të shtetit deri në vitin 2036.
ora