Putini po vdes, po tani?

0
90

Komuniteti i inteligjencës amerikane ka folur: Presidenti rus Vladimir Putin është trajtuar kohët e fundit për një “kancer në një stad të avancuar”. Përderisa shërbimi sekret i SHBA-së parashikoi me saktësi luftën e Rusisë kundër Ukrainës, nuk ka asnjë arsye të mos besohet edhe ky vlerësim.

Se çfarë do të thotë sëmundja e Putinit, kjo është një çështje tjetër. Ajo mund ta bëjë ose jo më të vrazhdë, më fanatik, dhe më të dhunshëm. Ai mund të vdesë shpejt ose jo. Po ashtu, sëmundja mund ta bëjë ose jo më pak kompetent për të udhëhequr një vend të madh si Rusia.

Por ajo që mund të konstatojmë me siguri, është se elitat ruse e dinë se ai është i sëmurë, dhe se një luftë për pushtet ka shpërthyer tashmë, ose do të nisë shumë shpejt. Se kush do ta pasojë Putinin në krye të vendit, është tashmë çështja që do të diktojë sjelljen e elitës dhe politikat që do të zgjidhen të zbatohen këtej e tutje.

Ndërkaq, ne e dimë se zëvendësimi i Putinit duke ruajtur të paprekur sistemin që ai ndërtoi këto 2 dekada do të jetë shumë i vështirë. Rusia është një shtet fashist, dhe Putin është qendra që e mban në këmbë të gjithë sistemin.

Largimi i tij, që tani mund të konsiderohet si i afërt, do të krijojë më shumë sesa një boshllëk pushteti, të cilin do të përpiqen që ta mbushin miqtë e tij më të afërt. Ikja e tij do

të shkundë deri në themel regjimin fashist. Gjermania naziste ishte e paimagjinueshme pa Adolf Hitlerin.

Edhe Italia fashiste varej tërësisht nga Benito Musolini për koherencën dhe ekzistencën e saj. Putini ka shpenzuar më shumë se dy dekada duke çmontuar me kujdes institucionet demokratike të sapolindura të Rusisë, duke i zëvendësuar ato me një diktaturë shumë të centralizuar, personaliste, e cila e nxirrte pjesën më të madhe të legjitimitetit të saj nga kulti i personalitetit që ai ndërtoi për veten e tij.

Ky kult e përfaqësonte Putinin si mishërim të fuqisë mashkullore. Forca e tij fizike, parathoshte dhe simbolizonte forcën e Rusisë. Po ashtu, një Putin në rënie do të dukej sikur paralajmëron rënien e Rusisë.

Miqtë e tij ose do të detyrohen ta zëvendësojnë Putinin me një diktator me një energji, karizëm dhe popullaritet të ngjashëm – gjë që është ndoshta e pamundur duke pasur parasysh moshën dhe mungesën e joshjes fizike të këtyre njerëzve – ose duhet të përpiqen të ndërhyjnë në sistem në një mënyrë të atillë që ta bëjnë atë më shumë të përshtatshëm për të sunduar

nga një lider më i dobët.

Por edhe kjo do të jetë e vështirë, pasi sistemi i Putinit përbëhet nga institucione koherente, të cilat “përshtaten” sipas logjikës së diktaturës. Do të jetë tejet e vështirë të zëvendësohen pjesët e veçanta të tij, pa ndikuar në të njëjtën kohë në stabilitetin e gjithë sistemit. Pasardhësit e Putinit, ashtu si ata të Leninit dhe Stalinit, do të ndahen ndoshta në të linjës së ashpër dhe të butë. Në rrethana normale të një stabilitetit relativ politik dhe ekonomik, do të ishte e diskutueshme se kush do të fitonte. Por kushtet në Rusinë e sotme nuk janë aspak normale.