Qëndroi 20 vite në kafazin e restorantit në Tiranë, ‘Mark’ ndërron jetë pas 3 vitesh! Historia e ariut të murrmë i shpëtuar nga austriakët (VIDEO)

0
3

Organizata e mirëqenies së kafshëve “Four Paws” ka njoftuar se ariu Mark që u shpëtua tre vite më parë në Shqipëri, ka ndërruar jetë në Austri. Kushtet e vështira në të cilat ishte trajtuar në Tiranë dhe problemet shëndetësore, kanë rezultuar fatale.

Ariu Mark u shpëtua në vitin 2022 nga një kafaz i vogël te një restorant  ku ushqehej me ato se çfarë i hidhnin klientët dhe kishte arritur mbipeshën. Për pasojë, kishte dhe probleme të shumta shëndetësore.

Marku gjeti paqe në BEAR SANCTUARY Arbesbach (BÄRENËALD Arbesbach) dhe jetoi tre vite të bukura, eksploroi shtëpinë e tij të re dhe u kujdes nga ekipi i përkushtuar i “Four Paws”.

  • “Pavarësisht gjithë dashurisë dhe kujdesit nga ekspertët, shëndeti i Markut vazhdoi të përkeqësohej. Pas konsultimeve të menduara mirë, morëm vendimin e dhembshur për ta lënë të shkonte.
  • Historia e Markut preku kaq shumë zemra. Ai ishte i butë dhe do të jetojë përgjithmonë në kujtimet tona. Nuk do të të harrojmë kurrë, shpirt i ëmbël”, shkruan organizata e mirëqenies së kafshëve.

Ariu Mark ishte i njëmbëdhjeti dhe i fundit i mbajtur në kafaz në Shqipëri dhe u transferua në një strehë në Arbesbach – një qytezë e vogël në Austrinë e Poshtme, për t’i jetuar vitet e mbetura të jetës.

Streha e arinjve në Arbesbach ofron kushte miqësore për kafshët të shpëtuara nga robëria që nga viti 1998. Four Paws ka shpëtuar deri më tani 11 arinj në Shqipëri, ndërsa në total janë shpëtuar 30 arinj edhe nga organizata të tjera simotra.