Nëna e vogëlushit që u sulmua për vdekje nga një pitbull në një ishull pushimesh në Greqi ka treguar se si “fëmija më i ëmbël që mund të imagjinosh” u vra brenda pak sekondash, pasi shkoi të përkëdhelte qenin në kopshtin e tyre.
E pikëlluar thellë, Robbie tha se tragjedia ndodhi “brenda më pak se 30 sekondash” dhe fajësoi gjuetarët që përdornin bilbila dhe armë në pyjet pranë, të cilët, sipas saj, e trembën pitbullin.
Ngjarja ndodhi në ishullin turistik grek të Zakynthos, ku Robbie ka jetuar me bashkëshortin dhe familjen e saj prej disa vitesh, pasi u zhvendosën nga Andover, Hampshire.
Duke mbajtur lotët me vështirësi, Robbie u shpreh për mediat se: “Leon ishte ëndrra e çdo nëne, ai ishte fëmija më i ëmbël që mund të imagjinosh.
“Ne thoshim gjithmonë se edhe njerëzit që nuk i pëlqenin fëmijët e adhuronin Leonin, sepse ishte kaq i mrekullueshëm, i veçantë, dhe të gjithë e donin: babai i tij, unë dhe gjithë familja.
“Ai ishte një djalë i vogël i bukur që nuk ndalonte së qeshuri dhe ishte kënaqësi të ishe me të, ai na sillte gëzim të madh.
“Ai i donte shumë kafshët që kemi këtu, dhe kemi shumë: mace, kuaj dhe qen, dhe pitbulli nuk kishte qenë kurrë problem para së shtunës kur ndodhi tragjedia.”

© SYRI.net


