Qeveria shqiptare nuk e ka parashikuar fondin prej 120 milionë eurosh që Francesko Becchetti ka fituar në Arbitrazh. Ministrja e Financave shpreh se ende nuk ka zyrtarisht një njoftim, edhe pse KLSH ka deklaruar se llogaritë e Shqipërisë jashtë territorit janë bllokuar në vitin 2020. Nga ana tjetër për opozitën ky fond nëse qeveria nuk do të kishte bërë veprime të nxituara mund të përdorej për rritje të pagave.
Edhe pse Kontrolli i Lartë i Shtetit ka publikuar detyrimin 338 milionë eurosh për faturën që Shqipëria duhet tu paguajë kompanive që kanë fituar në Arbitrazh, Ministrja e Financave deklaron se nuk ka asnjë të dhënë.
Madje në Komisionin e Ekonomisë ajo nuk deklaron as çështjet që janë humbur duke folur për procese që janë në vazhdim.
“Sa i përket vendimeve të gjykatave ndërkombëtare apo të Arbitrazhit ne kemi disa anekse ku kemi të parashikuara se çfarë vendimesh janë duke u diskutuar por nuk mund të parashikojmë në buxhet vendime të cilat nuk janë finalizuar dhe kosto të cilat nuk janë finalizuar.”
Opozita kërkoi sërish sqarime për rastin Becchetti, i cili fitoi gjyqin ndaj Shqipërisë për mbylljen e televizionit Agon Channel.
“Sa % mund të rriteshin rrogat nëse 110 milion euro të Becchettit do ti kalonim për fond pagash?”
Por edhe për këtë çështje, pavarësisht se Eurocontrol ka bllokuar llogaritë e Shqipërisë prej vitit 2020, Ministrja deklaron se ende nuk ka asnjë njoftim.
“Nuk di që të ketë një vendim për 101 milion euro apo asnjë shumë tjetër.”
Pavarësisht debatit, Komisioni i Ekonomisë ka miratuar projektbuxhetin për vitin 2022, dukei hapur rrugën diskutimit nen për nen.