Në 1 korrik filloi procesi i fiskalizimit për transaksionet pa para mes bizneseve dhe në 1 shtator nis faza e fundit e këtij procesi, fazë në të cilën të gjitha transaksionet biznes me konsumator do të duhet të jenë të fiskalizuara.
Ndërkohë, deri në 31 korrik, subjektet duhet të dorëzojnë online pasqyrat financiare.
Qendra Kombëtare e Biznesit (QKB) ka rikujtuar së fundmi subjektet se bazuar në Ligjin “Për regjistrimin e biznesit”, i ndryshuar, subjektet duhet të regjistrojnë dhe depozitojnë pasqyrat financiare vjetore, raportin e ecurisë së veprimtarisë dhe raportin e auditimit, të mbajtur sipas kërkesave ligjore, në rastet kur mbajtja e këtyre dokumenteve është e detyrueshme, jo më vonë se 7 muaj nga data e mbylljes së çdo viti financiar, në të kundërt aplikohet sanksion administrativ gjobë, prej 15000 lekë.
Afati përfundimtar, për dorëzimin e këtyre dokumenteve është data 31 korrik 2021.
Dorëzimi i pasqyrave financiare do të kryhet në formatin Excel, nëpërmjet portalit qeveritar e-Albania.
Përgjithësisht, subjektet i bëjnë deklarimet në ditët e fundit të afatit, çka shpesh ka bërë që në fund të korrikut të ketë mbingarkesë në sistem. /j.p/r.e/