Qukës-Qafë Plloçë, 66% e përfunduar/ ARRSH publikon pamjet: Punimet me ritme të mira në segmentin 3, pritet të përfundojë në 2025

0
97

Në segmentin e tretë të aksit rrugor Qukës – Qafë Plloçë, po vijojnë punimet, ndërsa deri tani janë kryer 66 % e punimeve fizike

Autoriteti Rrugor Shqiptar bën të ditur se aktualisht në këtë segment po punohet për formimin e trupit të rrugës në mbushje dhe gërmim, punime të cilat janë drejt përfundimit.

Paralelisht vijon puna gjatë gjithë gjatësisë së rrugës për mbrojtjen dhe sistemimin e skarpatave me rrjeta.

Projekti bazë për ndërtimin e tre loteve të aksit rrugor Qukës-Qafë Plloçë është hartuar vite më parë, por për shkak të problemeve me projektin, ku u panë mospërputhje mes projektit dhe terrenit, punimet për përfundimin e rrugës u vonuan.

Ky projekt përmirëson parametrat e rrugëtimit dhe bën të mundur aksesimin e trafikut, që kalon ndërmjet Korridorit 8 nga aksi rrugor Tiranë-Elbasan me pjesën e juglindjes, si dhe shkurtimin e distancave me pikën e kalimit kufitar të Kapshticës, qytetin e Korçës dhe më tej.

Segmenti i parë dhe segmenti i dytë do të dorëzohen në dhjetor të vitit 2024, ndërsa segmenti i tretë pritet të përfundojë deri në mars të vitit 2025.