Qukës-Qafë-Plloçë 70 % e realizuar, perspektivë e re zhvillimit rural në aksin Tiranë-Elbasan-Korçë-Kapshticë

0
204

Rreth 70 % të punimeve janë kryer deri tani në projektin e ndërtimit të aksit Qukës-Qafë-Plloçë, pjesë e korridorit të 8-të.

Kryeministri Edi Rama publikoi sot pamje të kantierit të punës për realizimin e kësaj vepre infrastrukturore.

Rama bëri të ditur se realizimi i plotë i kësaj vepre të re infrastrukturore do të sjellë shkurtimin e konsiderueshëm të kohës së qarkullimit të mjeteve në aksin Tiranë-Elbasan-Korçë-Kapshticë, si edhe do të hapë një perspektivë krejt të re për zhvillimin rural të një tjetër hapësire të pazbuluar të natyrës fantastike të Shqipërisë.

“Përpos vështirësive të hasura nga formacionet gjeologjike pa stabilitet (në mungesë totale të projekteve nga ata që e nisën kuturu këtë vepër si një aventurë elektorale me daulle) terrenit tejet të vështirë dhe gropës financiare të trashëguar, tashmë 70 % e veprës është realizuar me sukses”, deklaroi Rama.

Rruga Qukës-Qafë-Plloçë është rreth 40 km e gjatë. Në 10 km e para kalon përgjatë lumit Shkumbin dhe me pas vazhdon në malësinë e Mokrës, e cila njihet si një zonë me male të larta dhe të thepisura dhe për shkak të kësaj do të ndërtohen një numër i madh muresh mbajtës dhe pritës, më shume se 20 (njëzet) ura dhe viadukte si dhe një tunel 375 m i gjatë.

Rruga do të ketë gjerësi prej 12 m, nga të cilat 2 korsi me gjerësi 3.75 m secila (7.5 m total), 2 bankina të asfaltuara me gjerësi 1.5 m secila dhe 2 bankina të paasfaltuara me gjerësi 1 m secila. Projekti është ndarë në 3 seksione ndërtimi, nga të cilat 2 seksionet e para do të financohen nga Banka Islamike për Zhvillim (IDB) dhe seksioni i tretë nga Fondi Saudit për Zhvillim (SFD).