Ra nga kati i dytë gjatë kohës që po pastronte, ndërron jetë në spital punonjësi i Bashkisë së Gjirokastrës

0
2

Ka ndërruar jetë në Spitalin e Traumës në Tiranë punonjësi i Ndërmarrjes së Shërbimeve në Komunitet në Gjirokastër, i cili ishte plagosur rëndë pas një aksidenti në vendin e punës.

Ngjarja e rëndë ndodhi më 3 mars, në lagjen “Zinxhira” në qytetin e Gjirokastrës, ku punonjësi  Tani Kopeci, 55 vjeç, u rrëzua nga kati i dytë i një godine private gjatë kryerjes së punimeve për pastrimin e objektit, i cili ishte sekuestruar nga banka.

Si pasojë e rënies, ai pësoi dëmtime të rënda dhe u transportua me helikopter drejt Spitalit të Traumës, ku nuk mundi t’u mbijetojë plagëve për disa ditë por sot ai ka ndërruar jetë .Në lidhje me ngjarjen, Policia e Shtetit arrestoi tre persona, të akuzuar për veprën penale “shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë”. Ndërkohë, drejtuesi i institucionit, shtetasi Adriatik Onjea, akuzohet për veprën penale “shpërdorim detyre”. Sipas burimeve, menjëherë pas ngjarjes ai është larguar drejt shtetit fqinj Greqi dhe është shpallur në kërkim nga autoritetet.Gjykata ka caktuar masën e sigurisë “arrest me burg” për dy përgjegjësit teknikë, shtetasit P.C. dhe A.B., ndërsa për shtetasin A.L., me detyrë brigadier, është vendosur masa “arrest në shtëpi”.

GEAR Sh.p.k