Rama: Diplomën e mjekut nuk do ta japim sapo të mbarosh shkollën

0
88

Kryeministri Edi Rama u shpreh sot se, studentët e Mjekësisë nuk do ta marrin diplomën sapo të mbarojnë shkollën.

Në një takim me rektorët e universiteteve publike dhe jopublike për të diskutuar mbi procesin e rankimit të institucioneve të arsimit të lartë, Rama foli mbi studentët e Mjekësisë apo Infermierisë që largohen drejt Gjermanisë sapo mbarojnë studimet.

“Ne nuk mundet dot të furnizojmë me mjekë Gjermaninë. Paguajmë ne, ua bëjmë gati, vjen gjermani, kur thoshin filmat e Kinostudios dhe na i merr. Kjo nuk mund të vazhdojë kështu. Kuptohet që prapë është tregu që vendos nuk ka diskutim. Ne nuk mund t’i ndalojmë”, tha Rama.

“Për fat të mirë sot nuk kemi mungesë mjekësh në Republikën e Shqipërisë, as mungesë infermierësh. Që ta dëgjojnë të gjithë me këtë rast, që të mos duket sikur qahem. Nuk kemi përkundrazi, kemi akoma në listë pritje mjekë dhe infermierë që presin të punësohen”, nënvizoi Rama.

Kreu i qeverisë shtoi se, “Italia sot ka 40 mijë mjekë dhe infermierë mungesë. Italia. Ne nuk do presim të shkojmë në atë stad. Kështu që e para, diplomën e mjekut nuk do ta japim sapo të mbarosh shkollën. Do shkosh njëherë t’ia kthesh popullit tënd atë që ka bërë për ty pastaj do marrësh diplomën dhe pastaj shko ku të duash. Sipas afateve të caktuara. për më tepër e dimë shumë mirë sesi në shumë vende, mjekët, sidomos mjekët që janë standardi më i lartë i shërbimit human nuk i marrin diplomat menjëherë, por duhet të tregojnë dhe që janë të zot t’i shërbejnë njerëzve, përveç se të japin provimet. Se nuk mund të vazhdojë kjo histori kështu”.

“Ashtu sikundër do të vazhdojmë siç kemi filluar betejën në nivel ndërkombëtar në Komunitetin e ri Politik Evropian, për universitetet do të vazhdojmë të kërkojmë mbrapsht të na e kthejnë investimin. Duan t’i marrin në Gjermani, t’i marrin, por duhet të kthejnë investimin. Nuk mund të paguajë populli shqiptar për mjekët e Gjermanisë”, tha Rama.

“BE duhet të gjejë formën që të kthejë diçka. Nëse ne kemi mundësi edhe për vete edhe për Evropën s’ka problem. Nxjerrim më shumë me të njëjtën cilësi duke krijuar sinergjitë me universitetet e tyre. Pra duke iu dhënë mundësi të kenë diplomat të së njëjtës vlerë, jo vetëm kur dalin nga Universiteti i Mjekësisë, por edhe nga mjekësia në Durrës. Ama ne s’mund të jemi në këtë pozitë pasive. Kjo është çmenduri. Tregu atje ka një kapacitet thithës dhe ka një ofertë që jo ne, por po u them Italia, 40 mijë sot mungesa”, theksoi Rama.

/r.e/